Apeli konfirmon burgun e përjetshëm, rihapet gjykimi për babanë e Vanjës

TË FUNDIT

Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Ljupço Palevski-Pallçon, Velibor Manevin, Bore Videvskin dhe Vlatko Keshishevin, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, përcjell TV21. Vendimi i Apelit lë në fuqi pjesën dënuese të aktgjykimit të Gjykatës Penale në Shkup për katër të akuzuarit, të cilët do të vuajnë dënimin me burg të përjetshëm. Në të njëjtën kohë, Apeli ka shfuqizuar vendimin lirues për Aleksandar Gjorçevskin, babanë e Vanjës, dhe lënda është kthyer për rigjykim në Gjykatën Penale.

Ai akuzohet për ndihmë në rrëmbim, pretendime që i ka mohuar gjatë gjithë procesit. Nga Gjykata e Apelit njoftuan se vendimi i plotë me shkrim do të publikohet pas përfundimit të procedurave administrative. Sipas aktakuzës, rrëmbimi i Vanjës ishte planifikuar për të kërkuar shpërblim nga familja e saj, ndërsa Pançe Zhezhovski dyshohet se ishte rrëmbyer për shkak të automjetit të tij, i cili do të përdorej në planin kriminal. Të dy u raportuan të zhdukur në nëntor të vitit 2023, ndërsa trupat e tyre u gjetën më 3 dhjetor të po atij viti.