Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova po shqyrton mundësinë për t’u furnizuar me gaz të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës. Këto komente Kurti i bëri gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e parkut solar me kapacitet prej 105 megavatësh, në Kramovik të Rahovecit.
“Dhe po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës. Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit, Orllati Group, është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjell në Kosovë me investim afatgjatë. Për dekada mërgata jonë ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira. Sot po shohim gjithnjë e më shumë ndërmarrës nga mërgata që po kthehen me investime, me prodhim, teknologji dhe me vende pune. Kjo është një fazë e re dhe tej mase e rëndësishme e kontributit të saj. Falënderoj qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të ditur se ankandi i radhës për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë nga era, me kapacitet deri në 100 megavat, ka hyrë në fazën e fundit të dorëzimit të ofertave.
Kurti tha se në këtë proces janë të parakualifikuar tre ofertues me përvojë dhe ekspertizë.
“Ankandi ynë i radhës deri në 100 megavat për energji nga era tashmë është në fazën e fundit për dorëzimin e ofertave. Kemi tre ofertues të parakualifikuar nga Franca, nga Gjermania dhe Kosova, si dhe nga Turqia, që të gjithë me përvojën dhe ekspertizën e duhur për sukses”, tha Kurti.
Ai tha se parku i erës në Selac, me kapacitet prej 70 megavatësh, është afër përfundimit, ndërsa njoftoi edhe për projektin e ri solar të KEK-ut.
“Nga këtu ku jemi, mund të shohim në horizont turbinat e parkut të erës në Zatriq me kapacitet 70 megavat, i cili është afër përfundimit. Ndërkohë, KEK-u me përkrahjen e Bankës Zhvillimore Gjermane, KfË, ka tenderuar parkun e tij solar me kapacitet së paku 100 megavat”, u shpreh Kurti.
