Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka mohuar se ka ndonjë përçarje me Jude Bellingham, duke theksuar se raporti mes tyre është më i fortë se kurrë, pavarësisht reagimit publik të mesfushorit pas fitores ndaj Norvegjisë.
Pas triumfit 2-1 ndaj Norvegjisë në çerekfinalen e Kupës së Botës, Tuchel kishte deklaruar se nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit, ndërsa Bellingham kërkoi më shumë pozitivitet në vlerësimet e trajnerit.
“Nuk ka asgjë për t’u fryrë dhe nëse po fryhet, po fryhet nga mediat. Çfarë prisni nga një lojtar që sapo ka luajtur 120 minuta dhe ka dhënë gjithçka? Nëse i shkëputen të gjitha komplimentet dhe i thuhet vetëm se trajneri e quajti të pakujdesshëm, çfarë prisni?”, deklaroi ai.
Trajneri gjerman shtoi se nuk ekzistojnë probleme mes tyre.
“Njerëzit përpiqen të krijojnë keqkuptime dhe përçarje aty ku nuk ka. Ne vijmë nga i njëjti mentalitet konkurrues. Jemi më afër se kurrë më pare”, u shpreh Tuchel.
Ai komentoi edhe deklaratën e Bellinghamit, i cili kishte lënë të kuptohej se Tuchel nuk e kupton plotësisht presionin e ndeshjeve të tilla, duke thënë me humor.
“Nuk mendoj se duhet të kesh qenë futbollist për të qenë trajner. Siç thuhet, nuk duhet të jesh kalë për të qenë kalorës i mire”, përfundoi Tuchel.
Tuchel zbuloi se një ditë më pas zhvilloi një bisedë me skuadrën për të sqaruar situatën dhe theksoi se nuk ka asnjë problem me Jude Bellinghamin në prag të gjysmëfinales së sontme ndaj Argjentinës.
