Secila parti opozitare në formën dhe mënyrën e vetë kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. VMRO-DPMNE bile ka shkuar edhe më larg, duke ndarë 14 dhe 21 majin si data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Për neve është e pranueshme që të kemi zgjedhje sa më të shpejta parlamentare më 14 maj dhe 21 maj. Qytetarët do të vendosin se si do të jetë Qeveria e ardhshme. Ndoshta VMRO-DPMNE nuk do t’i fitojë zgjedhjet, ndoshta fiton LSDM, ndoshta BDI ose dikush tjetër, por njëherë të shkojmë në zgjedhje më 14-21 maj, ja unë këto i them si data të mundshme dhe pastaj mund të flasim për më shumë detaje”- deklaroi Hristijan Mickoski.
Sipas kreut të Besës, Bilall Kasami, periudha më e mirë për zgjedhje të jashtëzakonshme është në pranverë. Nga Besa vlerësojnë që kjo qeveri është jofunksionale dhe nuk i zgjidh problemet e qytetarëve, prandaj duhet sa më shpejt të shkohet në zgjedhje.
“Nëse pushteti nuk ka vesh për këto probleme dhe të përballet me qytetarët në zgjedhje të parakohshme, bashkë me opozitën do të shqyrtohen mundësitë dhe nëse është e nevojshme do të organizojmë edhe protesta qytetare. Ky do të jetë një lloj presioni ndaj qeverisë që të dëgjohet zëri i qytetarëve sa më shpejt të shkohet në zgjedhje”- deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Por për Aleancën për Shqiptarët ndryshimet kushtetuese janë prioritet kryesor. Përveç ndryshimeve kushtetuese nga ASh thonë se vendi urgjentisht duhet të miratojë edhe ligjet për luftë kundër krimit dhe korrupsionit.
“Nëse këto eventualisht dështojnë, zgjedhjet janë të patjetërsueshme, si zgjidhje e ngërçit. Përndryshe, zgjedhjet nuk guxojnë të bëhen paraprakisht pengesë, ose alibi për dështimin e këtyre proceseve vendimtare për të ardhmen e qytetarëve. Ndryshimet kushtetuese dhe hapja e bisedimeve me BE-në, nuk guxojnë të pengohen në asnjë mënyrë.”- thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Javën e kaluar Mickoski deklaroi se ka deputetë nga pushteti të cilët janë të gatshëm të votojnë për shpërbërjen e Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq pushteti është decid, zgjedhjet parlamentare do të jenë të rregullta në vitin 2024.
