163 raste të reja me COVID-19 për 24 orë/ Sali: Nëse vazhdon kjo rritje do të kthehen masat mbrojtëse

TË FUNDIT

Trendi i rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus po vazhdon. Ndonëse muaji qershor nisi mirë, me vetëm dhjetra raste të reja të Covid-19, siç shihet nga kjo grafikë numrat në javën e fundit nisën të rriten në mënyrë drastike.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali thotë se për shkak të periudhës së verës dhe lëvizjes së qytetarëve, dinamika e përhapjes pritet të jetë më e lartë se valët e mëparshme. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të vaksinohen, sepse ende nuk është bërë sekuenca e llojit të koronavirusit që po përhapet në valën e pestë. Nëse qytetarët nuk u përgjigjen apeleve për kujdes dhe mbrojtje dhe shifrat vazhdojnë të rriten, do të detyrohemi të rikthejmë masa, siç janë maskat dhe kufizimet tjera, shtoi Sali.

“Unë jam ai që më së paku dëshiron të ketë masa restriktive, nëse nuk marrim përgjigje pozitive për paelet që bëjmë në vazhdimsi, atëherë duhet të vendosim masa restriktive për mbrojtjen e qytetarëve. Ata meritojnë që të paralajmërohen për rrezikun para kohe, të ndërmerren të gjitha masat për rritjen e vetëdijes që është obligim i yni gjithsesi, e nëse shohim se ka trend të rritjes së shifrave të rasteve të reja, do të vendosim masa të reja.”- deklaroi Bekim Sali – Ministër I Shëndetësisë.

Edhe zv/ministri i Shëndetësisë thotë se shifrat po rriten, me këtë rast ai apeloi për vaksnim te qytetarët, sidomos ata që kanë komorbiditete dhe sëmundje kronike.

“Numri i të hospitalizuarve nuk është rritur por shohim se numri i të infektuarve po rritet, prandaj të dyja këto parametra japin një pasqyrë se çfarë masash në vazhdim do të vendosen, në këtë segment edhe një herë apeloj që duhet të rritet shkalla e imunizimit, me të vërtetë ende si shtet jemi në mes të shteteve që ka shkallë të ulët të qytetarëve të vaksinuar, apeloj që në këtë periudhë që është e mirë, që personat e pavaksinuar me komorbiditete, me sëmundje kronike të vaksinohen.”- pohoi Vlladimir Rendevski – Zv/Ministër I Shëndetësisë.

Përndryshe në  24 orët e fundit janë regjistruar 163 raste të reja me KOVID-19, nga gjithsej 922 testet e bëra. Sa i përket imunizimit janë vaksinuar 47% e popullsisë së përgjithshme me dy doza, që llogaritet imunizim i plotë.