139 fëmijë në pediatri në 48 orë! 12 u hospitalizuan, mjekët apelojnë për kujdes

TË FUNDIT

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë ditët e fundit kanë shtuar fluksin e pacientëve të vegjël në Repartin e Pediatrisë pranë Spitalit Klinik të Tetovës. Të dhënat e fundit tregojnë se vetëm brenda 48 orëve të fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve, ku për dhjetëra fëmijë është kërkuar ndihmë mjekësore.

“Në spitalin klinik të Tetovës gjegjësisht në repartin e pediatrisë kemi pasur 139 rast në 48 orët e fundit. Nga të cilët 12 fëmijë janë hospitalizuar edhe të tjerët janë lëshuar me terapi shtëpiake”, thonë nga Reparti i Pediatrisë – Tetovë.

Simptomat më të shpeshta me të cilat paraqiten pacientët e vegjël janë temperatura e lartë, vjellja dhe diarreja.

Specialisti i pediatrisë, dr. Isa Osmani, sqaron se këto simptoma janë karakteristike për virozat e stinës së verës dhe shkaktohen nga një sërë faktorësh mjedisorë e higjienikë.

“Për këtë moshë fëmijërore, shumica e rasteve janë viroza me karakter sezonal. Për shkak të temperaturave të larta, mënyrës se si bëhet ushqimi, përdorimit të qumështit artificial — i cili kërkon një higjienë jashtëzakonisht të madhe gjatë përgatitjes — si dhe kontaktit mes fëmijëve të sëmurë dhe atyre të shëndetshëm, të gjitha këto ndikojnë. Këto viroza janë faktikisht ngjitëse dhe shfaqin simptoma të caktuara. Megjithatë, jo për çdo rast duhet të shkohet menjëherë në spital pas një barkqitjeje apo vjelljeje. Nëna duhet, për shembull, të ketë elektrolite dhe të aplikojë mënyra të ndryshme ushqyerjeje që të mos vihet deri te dehidrimi. Mirëpo, nënat tona shpesh frikësohen se fëmija mund të dehidrohet”, u shpreh Isa Osmani – Pediatër.

Mjekët apelojnë te prindërit për kujdes të shtuar me higjienën e ushqimit, hidratim të mjaftueshëm dhe shmangie të kontaktit të fëmijëve me personat e prekur, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtyre virozave.