Shoqatat që përfaqësojnë familjarët e personave të zhdukur, këtë gjysmë viti e cilësojnë si të dështuar sa i përket procesit për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për ta, ky vit është i papranueshëm dhe është punuar fare pak në këtë drejtim. Për disa, problemi po qëndron tek mos-presioni i ndërkombëtarëve mbi Serbinë, e disa e fajësojnë vet Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, me arsyetimin se këtij të fundit i mungojnë ekspertë që do të mund të bënin më shumë drejt ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Udhëheqësi i Shoqatës për hulumtimin e fatit të Personave të Pagjetur në Komunën e Prishtinës, Haki Kosumi, thotë se me gjithë premtimet e mëdha që janë bërë, ky vit po del të jetë i dështuar sa i përket gjetjes së informacioneve për njerëzit që Kosova po i kërkon tash e 16 vjet.
“Konsideroj se përkundër përpjekjeve, përkundër premtimeve të shumta, viti 2015 ka qenë një vit i pa-pranueshëm, vit i dështuar, i procesit të gjetjes së informacioneve për njerëzit të cilët po i kërkojmë tash e 16 vite. Familjarët vërtetë janë shumë të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe nuk e di, nuk iu ka mbetë as forcë të bëjnë kërkesa më para qeveritarëve tanë, dhe të adresojnë kërkesa para faktorit ndërkombëtar të cilët kanë përgjegjësi , kanë dhënë premtime d he kanë obligim të bëjnë më shumë për këtë çështje”, thotë ai.
Për rezultatet e këtij gjysmë viti në këtë proces, Kosumi, fajin e hedh tek Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, për të cilin thotë se i mungojnë ekspertë.
“Fajin ne gjithmonë e adresojmë tek institucione vendore, në mënyrë të veçantë tek komisioni qeveritar, të cilit i mungon profesionalizmi, të cilit i mungon ekipi i ekspertëve të cilët do të ishin në gjendje të bëjnë më tepër. Dhe, obligim i komisionit qeveritar dhe institucioneve tona është që përmes mekanizmave të bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojnë presion tek Serbia, ngase Serbia është adresa e fundit dhe e vetme e të vërtetës për njerëzit tanë të cilët na mungojnë”, thotë ai.
Kosumi, tho të se duhet bërë më shumë e jo vetëm të bashkë-ndjehet dhimbja me familjarët. Siç thotë ai, familjarët janë ata që qajnë, institucionet duhet të punojnë e të iu dalin në ndihmë.
Vit të mbrapshtë e quan edhe përfaqësuesi i familjeve te të zhdukurve, Bajram Qerkinaj. Për këtë, ai gishtin e drejton tek vendorët e ndërkombëtarët.
Qerkinaj, thotë se përmirësime nuk do të ketë nëse familjarët vazhdojnë të heshtin dhe mos të bëjnë presion.
“Asnjëherë më mbrapsht nuk ia ka nisë viti. 7 muaj nuk ka pas hulumtime për shkaqe jo të rregullta, së pari vendore e pastaj ndërkombëtare. Fajin vendorët ua lënë ndërkombëtareve, kurse ndërkombëtarët ua lënë vendorëve……Mendoj se do të ketë përmirësime, në qoftë se familjarët do të bëjnë presion. Sepse në qoftë se familjarët ende flenà « kësisoj nuk do të ketë, prap vetëm do të na mashtrojnë”, thotë ai.
Ndërsa, Jahja Bejta, drejtor i shoqatës “Ngritja e zërit”, shoqatë kjo që mirret e kompensimin e dëmeve të luftës por që është pjesë e këshillit koordinues të asociacionit të familjarëve te të zhdukurve, thotë se procesi për zbardhjen e fatit te të zhdukurve po zvarritet për shkak të mungesës së vullnetit të Serbisë.
“Nuk është duke u bërë sa duhet. Vet fakti që hapja e nëntë lokacioneve dhe mbetët në gjysmë dhe mos-lejimi nga ana serbe që të bëhet gërmimi dhe të konstatohen procedurat e identifikimit, tregon se nuk është vullneti i tyre dhe në anën tjetër nuk ka presion të mjaftueshëm ndërkombëtar tek pala serbe”, thotë ai.
Përkundër vitit 2014 ku pati një varg aktivitetesh gërmuese në 19 lokacione në Kosovë dhe 3 në Serbi, nën dyshimin për gjetjen e varrezave masive, sivjet nuk ishte një vit i tillë.
Në pjesën e parë të këtij viti, pati dy aktivitete gërmuese. Një ishte konfirmim i identitetit. Aktivitetet ri-nisin në Mitrovicë, por që u ndërprenë po atë ditë për shkak të keqësimit të gjendjes së njërit nga punëtorët. Atyre u mungonin pajisjet e duhura për të gërmuar në vendet e thella.
Gërmimet vazhduan në Ranillug të Kamenicës, lokacion ky që rezultoi me mos-gjetje. Pjesët më të vështira për gërmim po mbesin ato me shumicë serbe.
Megjithatë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj thotë se aktivitetet gërmuese të radhës pritet të bëhen në veri të Mitrovicës.
“Do të ketë aktivitete vlerësuese, janë disa lokacione të shënjuara, të veçanti kemi fokus Mitrovicën, pjesën veriore atje ku deri më tash ekspertët e mjekësisë ligjore, gjegjësisht nga pjesa e EULEX-it nuk i kanë programuar, me arsyetim të çështjes së sigurisë. Mirëpo tani veç kemi konfirmimin e KFOR-it, pikërisht edhe të komandantit të KFOR-it që do të mbështesë për çështje të sigurisë. Normalisht kërkesat tona janë për tu hap vendet e dyshuara në territorin e Serbisë, tani aktualisht e kemi në fokus Jallovishten afër Rudnicës në regjionin e Rashkës dhe NoviPazarin”, thotë ai.
E familjarët e personave të pagjetur, nuk u hiqet mendimi se është bërë pak në ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre.
16 vjet pas luftës, në Kosovë vazhdojnë të mbesin të zhdukur mbi 1600 persona, të cilët u vranë, e u zhdukën pastaj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë./KP/
