Gjithsej 36 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike në Split, për shkak të lëndimeve që kanë marrë nga zjarri i mbrëmshëm pranë Omishit, respektivisht në vendbanimin Lokva Rogoznica, përcjell TV21. Pas trajtimit mjekësor, 14 pacientë janë shtruar në spital, ndërsa të tjerët janë lëshuar për trajtim në shtëpi, njoftoi spitali.
Shtatë pacientë ndodhen në kujdes intensiv dhe janë në rrezik për jetën. Tre pacientë të tjerë janë vendosur në kujdes intensiv, ndërsa pjesa tjetër po trajtohet në repartet e spitalit.
Shumica e pacientëve të trajtuar kanë pësuar djegie, ndërsa të tjerët kanë kërkuar ndihmë mjekësore kryesisht për shkak të problemeve me frymëmarrjen, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj tymit, raportojnë mediat kroate.
Qendra Klinike Spitalore e Splitit angazhoi menjëherë të gjitha ekipet në dispozicion për të siguruar trajtim në kohë të të lënduarve. Për shkak të fluksit të shtuar të pacientëve, u thirrën në punë edhe punonjës që ndodheshin me pushime.
Zjarri ka shkatërruar shumë shtëpi, automjete dhe varka, si dhe ka shkaktuar evakuimin e më shumë turistëve. Banorët janë evakuuar përmes rrugëve tokësore, si dhe me varka dhe mjete lundruese të Kapitanerisë së Portit nga zonat e rrezikuara bregdetare.
