Kërkohet një muaj paraburgim për të dyshuarin për bashkëpunim me BIA-n, Fehim Sali

TË FUNDIT

Prokuroria Speciale në Kosovë ka kërkuar nga Gjykata t’ia caktojë masën e paraburgimit prej një muaji Fehim Salit, i dyshuar për veprën penale “Spiunazhi”. 

Seanca dëgjimore ndaj të pandehurit Sali, ka nisur nga ora 09:00. Sali i cili u arrestua mëngjesin e së enjtes, në pikën kufitare në Merdar teksa po kalonte në Serbi pas orës 7 të mëngjesit. Ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarë të kësaj agjencie. 

Pas arrestimit, Policia dhe Prokuroria Speciale ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në Dragash, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale. Sali punonte si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në fshatin Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar për dy mandate në Këshillin Konsultativ për Komunitete brenda Presidencës së Kosovës.

Nga pozita në Këshillin Konsultativ për Komunitete ishte shkarkuar në vitin 2024.