Sot rreth orës 16, në fshatin Vërrnicë të Mitrovicës një fëmijë 12 vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e rënies në kanalin e hapur të Ibër Lepëncit.
Rastin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti. Sipas tij familjarët kanë lajmëruar në policië për këtë ngjarje rreth orës 16:30.
“Me të marr informacionin se një fëmijë ka rënë në kanalin e Ibër Lepencit, njësitë e policisë, mjeku kujdestar dhe anëtarët e Klubit të Zhytësve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ata kanë gjetur fëmijën rreth 100 metra larg vendit ku ka rënë me ç’rast zhytësit e kanë nxjerr nga kanali. Mjeku ka konstatuar se fëmija është pa shenja jete”, ka thënë zëdhënësi Zahiti.
Ai ka bërë të ditur se trupi pa jetë i fëmijës u është liruar familjarëve sepse nuk do t’i bëhet obduksioni, pasi që ka dëshmitarë se ai ka rënë vet në ujë.
