BDI: Zero kadetë shqiptarë në Akademinë Ushtarake! Ministria: Njëri u tërhoq, tjetri përfundoi i 43-ti në listë

TË FUNDIT


Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon VLEN-in dhe Qeverinë për mungesë të përfaqësimit shqiptar në Akademinë Ushtarake, duke pretenduar se për herë të parë që nga themelimi i saj, në vitin 1995, nuk është pranuar asnjë kadet shqiptar.

“Ky fakt ngre pikëpyetje serioze për rolin dhe ndikimin e VLEN-it në institucionet shtetërore ku përfaqësimi i shqiptarëve duhet të jetë jo vetëm parim deklarativ, por edhe realitet institucional. Por përgjegjësia nuk mund të ndalet vetëm te VLEN-i. Qeveria duhet të kuptojë se mirëbesimi ndërmjet partnerëve politikë nuk ndërtohet përmes deklaratave, por përmes respektimit të barazisë, përfaqësimit dhe marrëveshjeve politike. Edhe më shqetësues është fakti se raste të tilla e cenojnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, dobësojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe i vënë në pikëpyetje marrëdhëniet ndër-etnike”, tha BDI.

Ministria e Mbrojtjes, duke iu përgjigjur akuzave të BDI-së, njoftoi se në konkursin për 29 kadetë ishin paraqitur dy kandidatë shqiptarë, por njëri ishte tërhequr, ndërsa tjetri kishte përfunduar në vendin e 43-të në listën e renditjes.

“Brenda afatit të përcaktuar për aplikim, deri më 17.06.2026, nga numri i përgjithshëm i kandidatëve të paraqitur, 2 (dy) janë të përkatësisë etnike shqiptare, 1 (një) është rom, 1 (një) është vllah dhe 95 janë maqedonas. Për 29 vendet në Akademinë Ushtarake, gjatë procesit të përzgjedhjes, gjithsej 46 persona i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në Konkurs. Nga dy personat e përkatësisë etnike shqiptare, njëri është tërhequr, ndërsa i dyti, sipas listës së renditjes, ka përfunduar në vendin e 43-të”, tha Ministria e Mbrojtjes

Nga Ministria e Mbrojtjes i cilësojnë akuzat e BDI-së si populiste dhe të pabazuara, duke theksuar se përzgjedhja bëhet në mënyrë transparente dhe se në Akademinë Ushtarake do të pranohen kandidatët më të mirë, ndërsa ritheksojnë përkushtimin ndaj përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.