SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj një 66-vjeçari nga fshati Sllupçan i komunës së Likovës, nën dyshimin për falsifikim të dokumentit zyrtar, përcjell TV21. Sipas policisë, i dyshuari, në cilësinë e nëpunësit të gjendjes civile në Drejtorinë për Menaxhimin e Librave Amë në bashkësinë lokale të Sllupçanit, gjatë periudhës 2021–2024, kishte regjistruar të dhëna të pavërteta dhe kishte përgatitur certifikata të falsifikuara për shtetas të huaj. Në dokumentet e përgatitura, ai kishte paraqitur se shtetasit e huaj kinse kishin lidhur martesë para tij, ndonëse bëhej fjalë për të dhëna të pavërteta.
“SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj I.Z. (66) nga fshati Sllupçan, Komuna e Likovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”. Gjatë viteve 2021, 2022, 2023 dhe 2024, i dyshuari, në cilësinë e nëpunësit të gjendjes civile në Drejtorinë për Menaxhimin e Librave Amë, në bashkësinë lokale të fshatit Sllupçan, kishte regjistruar të dhëna të pavërteta dhe kishte përgatitur certifikata të rreme për shtetas të huaj, duke paraqitur në to se ata kinse kishin lidhur martesë para tij”, thonë nga MPB.
