Kandidati për kryeministër shqiptar i propozuar nga BDI, Naser Zyberi, thotë se nuk është kandidat partiak dhe se pretendon mbështetje nga të gjitha partitë. Duke folur për deklaratat e tij të mëparshme se ideja e partisë së Ahmetit është për të mbledhur vota, ai tha se pa dyshym që gara politike bëhet për të fituar vota dhe për ta marrë pushtetin.
“Gara politike pa dyshim që bëhet për të mbledhur vota dhe kandidtimi për kryeministër është tendencë për ta marrë pushtetin dhe këtu nuk ka asgjë kontestusese. Zaten as unë nuk jam as anëtarë as përfaqësues i BDI-së, jam kandidat apartiak, mbipartiak i cili pretendon që me një mbështetje të BDI-së dhe subjekteve tjera politike shqiptare dhe joshqiptare dhe në rend të parë qytetarëve dhe votuesve ta kem mundësinë që të drejtoj Qeverinë”, tha Naser Ziberi, kandidat për kryeministër.
Për analistin Arben Llalla kandidatura e Ziberit për kryeministër shqiptar është ofenduese. Ai thotë se kandidatura s’është e unifikuar as brenda BDI-së dhe se edhe vetë anëtarët e BDI-së janë të zhgënjyer nga zgjedhja.
“Kjo kandidaturë është ofendim dhe thash edhe njëherë është kandidaturë e vdekur që ta ringjalli dhe të na paraqitet si patriot si të tillë kur ai nuk ka qenë i tillë. 12 vite deputet, ministër, zëvendëskryeministër dhe sot të na paraqitet pas kaq vitesh pauzë si analist që ka qenë, si noter, si në krahë të djathë të Ali Ahmetit që vetë kandidati në fjalë e tha është ofendim për mua. Më vjen keq se z. Ali Ahmeti më këtë kandidaturë jo vetëm që zhgënjeu shqiptarët e Maqedonisë por zhgënjeu edhe anëtarët e BDI-së”, tha Arben Llalla, analist.
Analisti Selimi tha se ideja e BDI-së për kryeministër shqiptar nuk është e sinqertë dhe nuk erdhi në kohën e duhur.
“Për idenë e BDI-së si të tillë kam folur dhe kam thënë që është një PR politik në të drejtën e tyre politike por nuk është e sinqertë dhe nuk erdhi në kohën e duhur, faktikisht erdhi pasi filloi fushata. Për sa kohë që bënin ftesë për bashkim të opozitës tani bëjnë ftesë për bashkim të gjitha partive politike”, tha Sefer Selimi, analist.
Kandidaturën e tij e kanë komentuar edhe 2 kundërshtarët e tij për pozicionin e kryeministrit.
Zoran Zaev tha se Zyberi nuk mund t’i ndihmojë BDI-së për 20 ditë, dhe se atyre u duhen 4 vite në opozitë që të reformohen. Nga ana tjetër Lideri i VMRO DPMNE-së tha se kryeministër askush nuk mund të bëhet në zyrë, por duhet të dalë para publikut dhe të marrë mbështetje.
