Me 67 vota për dhe 13 kundër, Kuvendi e zgjodhi Zulfiqar Zejnullaun ministër pa resor. Zgjedhja e Zejnullaut u bë e ndarë nga anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, për shkak se me të së bashku rikonstruimi i Qeverisë do ta tejkalonte pragun prej një të tretës së kabinetit qeveritar, pas së cilës do të duhej të zbatoheshin procedurat sikur për zgjedhjen e një Qeverie të re.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke e arsyetuar propozimin për zgjedhjen e Zejnullaut, tha se pjekuria e Qeverisë shihet në hapjen e institucioneve për të gjithë ata që kanë njohuri, kapacitet dhe qëllim të sinqertë për të kontribuar.
“Sot para jush nuk kërkoj mbështetje vetëm për një kandidat, kërkoj mbështetje për parimin që institucionet duhet t’i udhëheqin njerëzit të cilët mund të marrin përgjegjësi, të marrin vendime dhe të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike ose politike”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
Opozita, e cila nuk e mbështeti propozimin, reagoi me kritika të ashpra ndaj emërimit të Zejnullaut si ministër pa resor. Skender Rexhepi kritikoi duke thënë se bëhet fjalë për ministri për byrek dhe ajran.
“Komuniteti turk është shkelur për dy vite e gjysmë në këtë shtet nga ky pushtet dhe sot, në kohën kur komuniteti turk duhet të bëhet faktor, merr një ministri pa resor. E dini çfarë është kjo? VLEN ka një ministri me resor që quhet ministria për byrek, komuniteti turk tani ka një ministri pa resor që quhet ministria për ajran dhe ato së bashku do të kombinohen”, tha Skender Rexhepi, Lëvizja Populli.
Nga LSDM-ja thanë se votimi i tyre kundër Zejnullaut si ministër pa resor është për shkak se zgjedhja e tij nuk do të ndryshojë asgjë, por ai do të jetë vetëm ministër për Badenter.
“Këtu shtrohet pyetja, nëse është për shkak të përfaqësimit të turqve, pse që nga fillimi nuk kishim ministër në Qeveri? Nëse është ministër për Badenter, atëherë duhet ta pranojmë edhe këtë se ky është ministër për Badenter dhe jo për përfaqësimin e turqve”, u shpreh Oliver Spasovski – LSDM.
Ministri i ri pa resor, Zulfiqar Zejnulla, është kryetar i Partisë Demokratike të Turqve, e cila kohët e fundit kaloi në koalicion me VMRO-DPMNE-në në pushtet, pasi më parë u largua nga Fronti Evropian. Me këtë, edhe deputeti nga radhët e PDT-së, Bejxhan Iljas, iu bashkua shumicës qeverisëse, me çka numri i deputetëve të shumicës u rrit edhe me një deputet.
