Mbetje të djegura dhe kaos, la zjarri i cili dje shpërtheu dhe kaploi kafenenë “Fontana” para Qendrës Tregtare “Mavrovasja”
Që nga herët në mëngjes, ekipet vazhduan me hetimin për të zbuluar çka e ka shkaktuar zjarrin.
“Në Bulevardin “Goce Dellçev” në objektin hotelierik “Fontana” në pronësi të 34-vjeçarit M.A., ka shpërthyer një zjarr, ku ka djegur pjesën e sipërme, kurse tarraca është djegur tërësisht. Nuk ka persona të lënduar. Brigada e Zjarrfikësve e ka lokalizuar zjarrin, kurse kontroll në vendngjarjen do të kryhet gjatë ditës së sotme”, tha Suzana Pranjiq MPB.
Për fat të mirë, intervenimi i shpejtë nuk ka lejuar që flakët të përhapen dhe të përfshijë edhe objekte të tjera që gjenden afër. Nga Njësia Territoriale kundër Zjarrit thonë se zjarri është lokalizuar mëngjesin e sotëm rreth orës 5.
“Në 01:05 është marrë një paraqitje për zjarr në QT “Mavrovasja”. Bëhet fjalë për një tarracë të kafenesë “Fontana”. Është intervenuar me 7 automjete zjarrfikëse dhe 20 zjarrfikës. Zjarri është lokalizuar dhe është shuar tërësisht rreth orës 5. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të madhe”, tha Vlladimir Simonovski, komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve.
Hetimi duhet ta zbulojë shkakun për zjarrin, i cili ka shpërthyer në kohë kur me vendim të Qeverisë të gjitha objektet hotelierike janë të mbyllura për shkak të koronavirusit.
