ZJARRI NË KISELLA VODË, DYSHOHET PËR INSTALIM TË PRISHUR, 11 PERSONA TË HOSPITALIZUAR, 4 NGA ATA ZJARRFIKËS

TË FUNDIT

11 pacientë janë shtrirë në Klinikën e Toksikologjisë, si pasojë e zjarrit të djeshëm që ndodhi në lagjen Kisella Vodë. Pacienti më i ri është një 26 vjeçar, ndërsa më i vjetri 74. Shumica e të shtrirëve kanë probleme me frymëmarrjen, ngulfatje, kollitje, teshtitje dhe simptoma të ngjashme. Nga kjo Klinikë thonë se pacientët janë në gjendje të mirë dhe stabile shëndetësore. Ata do të lëshon nga spitali pasi të dalin rezultatet e fundit të analizave.

“Janë ndërmarrë të gjitha procedurat e diagnostikimit. Jemi duke i pritur rezultatet e analizave dhe derisa nuk e sigurojmë edhe rezultatin e fundit, pacientët do të jenë të hospitalizuar në Klinikë. Simptomat më të shpeshta janë probleme në organet për frymëmarrje, respektivisht ngufatje, kollitje dhe teshtitje. Tre pacientë kanë edhe kokëdhimbje, kurse te një pacient është paraqitur sindromi gastrointestinal. Por, sot janë në gjendje të mirë shëndetësore”, theksoi Natasha Simonovska nga Klinika Universitare e Toksikologjisë.

Në mes pacientëve të shtrirë ka edhe 4 zjarrfikës. Njëri ka pësuar të djegura në dorën e djathtë, të tjerët janë ngulfatur nga tymi. Komandanti i brigadës zjarrfikëse të qytetit të Shkupit thotë se ju është dashur 2 orë për ta shuar zjarrin dhe e kanë pasur shumë të vështirë evakuimin e banorëve, sepse ndërtesa është e tipit të vjetër dhe është e mbyllur nga të gjitha anët, pa dritare në korridore. Zjarrfikësit janë dashur të veprojnë nga banesa tjetër. Komandanti, Simovski thotë se problemet e këtilla ndikojnë në sigurnë e qytetarëve dhe i hasin çdo ditë në terren.

“Makina të parkuara keq, terren i pa aksesueshëm, hyrje të mbyllura, problem në planin për shpëtim dhe evakuim, nuk ka në asnjë nga ndërtesat e vjetra. Në shkallë dhe hapësirat mes shkallëve ka lloj-lloj gjësendesh, si biçikleta, sirtarë, gjithçka, mos të them se gjysmën e mobiljeve banesat e kanë jasht. Ja ne mbrëmë u ndeshem me nëj problem të tillë, në tre kate kishte të vendosura dhe të lidhura biçikleta, të cilat na pengojnë në lëvizje dhe shpëtim”, u shpreh Vlladimir Simovski, Komandant i Brigadës.

Dje u përfshi nga flaka ndërtesa e banimit në Komunën e Kisella Vodës, por për fat të mirë nuk kishte banorë të lënduar rëndë.

Nga Ministria e punëve të brendshme thonë se ende nuk është evidentuar problem që ka shkaktuar zjarrin. Simovski tha se dyshon se arsyeja është instalimi elektrik në kuzhinë. Që nga fillimi i këtij viti në brigadën zjarrëfikëse të Qytetit të Shkupit janë paraqitur 940 raste të zjarreve.

Përgatiti: Almedina Ismajli