Zjarr i madh në objektin e ish-fabrikës “Treska”, banorët dhe Arsovska dyshojnë se është i qëllimshëm

TË FUNDIT

Zjarr i madh u përhap në depot e ish-fabrikës “Treska”.

55 zjarrfikës luftuan me flakët për më shumë se një orë deri sa e lokalizuan.
Zvonko Dodevski nga njësiti i zjarrfikësve tha se po punohet për pastrimin dhe shuarjen e plotë të vatrës.

“Rasti është raportuar në ora 14:10. Është intervenuar me të gjitha forcat që kemi pasur në atë moment. Prioritet e kemi pasur parandalimin e përhapjes së zjarrit në objektet për rreth. Nuk mund të themi pse erdhi deri tek eksplozioni pasi që pjesa më e madhe e çatisë është rrënuar, ndërsa hetimi do të tregojë arsyen”.

Për zjarrin reagoi një banor, i cili i revoltuar i thoshte kryetares së Shkupit Danella Arsovska se ka 12 vjet që nuk po ndërmerret asgjë për këtë pronë.

“Nuk ma japin tokën, jam i revoltuar duhet të bërtas, 12 vjet na gënjejnë. Jo pandemi, jo moratorium, unë nuk kërkoj leje kryetare unë po kërkoj tokën time, 120 persona jemi…”

Banorët tjerë që jetojnë përreth të shqetësuar tregojnë se si ka ndodhur shpërthimi. Thonë se nuk është hera e parë që ka zjarr në këtë objekt dhe dyshojnë se dikush e ka shkaktuar qëllimisht.

“Jo nuk është, është hera e tretë që digjet.
-Edhe më parë ka pasur zjarr?
-Po, po edhe më parë, kjo është e mbushur me dru, me repromateriale, kjo duhet të pastrohet ose të hiqet prej këtu”.

“Edhe atëherë erdhën dy makina zjarrfikëse dhe hyrën prej atje, nuk dinin prej nga të hynin, flenë aty. Kjo nuk është aspak e bukur. Ndërkaq po bëhet gati që të ndërtohet, ka paralajmërim që për 3 muaj të ndërtohet, kjo nuk mund të jetë rastësi. Nuk është rastësi, dikush ka pasur qëllim ta ndez që të mos na japin banesa”.

Dyshime se zjarri nuk është shkaktuar rastësisht ka edhe nga ana e Kryetares së Qytetit të Shkupit, Arsovska. Ajo theksoi se institucionet urgjentisht duhet të ndërmarrin masa.

“Me dyshimin se ka persona që e kanë shkaktuar zjarrin. Këtë informacion e morëm edhe nga fqinjët që jetojnë këtu dhe kanë parë se disa persona kanë lëvizur këtu. Sinqerisht shpresoj se institucionet do të ndërmarrin gjithçka që është në kompetencat e tyre dhe të mos lejojnë që as qytetarët që jetojnë këtu po edhe askush tjetër të mos rrezikohet”.

Zjarri është lokalizuar tërësisht, ndërsa edhe terreni po pastrohet që të mos ketë rrezik për përsëritje të zjarrit. Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, bëjnë me dije se zjarri ka rënë në një depo në rrethin e ish-fabrikës. Zjarri ka përfshirë edhe materiale plastike, dru, shkurre dhe mbetje, duke shkaktuar tym të zi të dendur në qendër të qytetit.