Plot këngë e brohoritje në Kongresin e katërt të Aleancës për Shqiptarët, kongres ky i jashtëzakonshëm, nën sloganin “Shtëpia jonë”.
Të gjitha karriget e sallës së Operës dhe Baletit ishin të zëna, përveç njërës në mes të sallës, ajo që ishte rezervuar për kryetarin e partisë Arben Taravari, ngjitur me Ziadin Selën.
Taravari nuk erdhi në Kongresin e thirrur pikërisht për të kërkuar përgjegjësi për veprimet e tij, që në zgjedhje të bashkohet me opozitën shqiptare.
Po mungesa e Taravarit nuk ishte pengesë që të shkarkohej nga detyra si kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
“Në dy momente i ka ikur përgjegjësisë. Një, në Kuvend qendror që provokoi këtë situatë. Edhe sot po ashtu ka provokuar, nuk ishte prezent dhe i iku përgjegjësisë. Ne nuk morëm vendim për ta shkarkuar si anëtar i ASH-së, prej këtij momenti ai nuk është kryetar i ASH-së”, u shpreh Ziadin Sela, ASh.
Duke folur si kryetar i porsazgjedhur, Sela u shpreh se shkarkimi i Taravarit është vendosje para përgjegjësisë me votë unanime. U shpreh se ish-kryetari ka shkelur statutit e partisë dhe kodin etik. Sipas Selës, nga gjithsej 837 delegatë sa ka Kongresi, të pranishëm sot ishin 591, numër i mjaftueshëm, sipas tij, për të sjellë vendime.
E menjëherë pas shkarkimit, Kongresi zgjodhi kryetarin e ri. Ziadin Sela ishte kandidati i vetëm i propozuar, ndërsa rizgjedhjen e quajti rimarrje besimi nga brumi kryesor i ASH-së.
“Dhe unë i siguroj se do ta udhëheq ashtu siç e kam udhëhequr, me ndershmëri, me transparencë, me dinjitet, çdoherë i gatshëm që të bashkëbisedoj me anëtarësinë dhe t’i përballojmë argumentet para njëri-tjetrit, natyrisht se Aleancës i takon që vendimet t’i marrë bashkërisht”, tha Sela.
Duke u përgjigjur në pyetjet nëse do ta mbështesnin kandidaturën e Taravarit për President, Sela nuk ngurroi të flasë për karakterin e paraardhësit të saposhkarkuar.
“Në disa momente unë e kam pyetur, a dëshiron të garosh për kandidat për president, a ke pretendime për këtu ose atje. Ai ka thënë jo në mënyrë kategorike jo. Por siç duket ky vuan nga një sindrom, sa herë që thotë jo, e bën po, sa herë që thotë po, e bën jo… mos ta them fjalën tjetër”, shtoi Sela.
Ky Kongres i jashtëzakonshëm i ASH-së- Krahu i Selës, u mbajt dy ditë pas atij që e thirri Arben Taravari, ku në fakt e shkarkuan Ziadin Selës nga posti i Kryetarit të Kuvendit Qendror të partisë.
Tash të dyja palët pretendojnë se janë Aleanca për Shqiptarët dhe të dy kryetarët pohojnë se janë kryetarë legjitimë të partisë. E me sa duket çështja do të mund të zgjidhet vetëm në gjykatë, gjë të cilën e përmendi dje vet Taravari por gjykatën e përmendi edhe Sela.
“Vula është në dorë të anëtarëve të ASh-së, është në dorë të Kongresit. Secili mund të kidnapojë një vulë, nuk është asgjë ajo. Dihet me emra e mbiemra, dihet me simbolikat që i ka ASH”.
“Me plot përgjegjësi e them, me siguri gjykata do ta dëfton këtë, edhe shumicën në Kuvend e kemi, edhe shumicën në Kryesi të partisë, por edhe në Kongres kishin kuorum për ta mbajtur kongresin, kështu që s’dua kjo temë më tutje të vazhdohet”.
Në Kongres folën zyrtarë të ASH-së, që po ashtu janë edhe pjesë e Qeverisë, si Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, i cili uroi që Taravari aty ku është bashkuar sa më pak t’i shërbejë VMRO-DPMNE-së.