Vazhdon përplasja mes Ministrisë se Kulturës dhe Bibliotekës së Tetovës për hapësirat e Bibliotekës, e cila me vendim të Qeverisë, hapësirat aktuale duhet të ja lëshojë në përdorim zyrës së BE-së. Nga Biblioteka e Tetovës thonë se hapësirat ku duhet të kalojnë, nuk i plotësojnë as kushtet minimale dhe se kërkojnë investim dhe renovim. Sipas tyre, javën që e lamë pas i kanë vizituar përfaqësues nga Ministra e Kulturës, të cilët i kanë parë hapësirat dhe kanë premtuar rregullim.
“Pas një bisede të gjatë kanë inspektuar pjesët se ku duhet të transferoheni, i panë hapësirat dhe atë ditë ramë në ujdi që këto hapësira ku duhet transferuar ne të rinovohen, të bëhen të përshtatshme për Bibliotekën. Ministria e mori përsipër që këto pjesë ku duhet kalojmë të rinovohen, të jenë të shfrytëzueshme për Bibliotekën, plus, veç kësaj hapësire do kemi edhe hapësira shtesë, për to që i kemi kërkuar ter kohën.”- tha Mahi Murtezani, i punësuar në bibliotekë.
Po ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska thotë se pas kontrollit, kanë ardhur në përfundim që biblioteka duhet të zhvendoset një derë më tutje, në të njëjtin objekt, por ku do të fitojë 80-100 metra katror shtesë për fondin e librave. Stojçevska siguron se hapësira do të rinovohet dhe do modernizohet. Akuzon drejtoreshën e bibliotekës për manipulime.
“Ajo që nuk e arsyetoj është manipulimi i drejtoreshës, gjoja se i bëhet shtypje dhe se të punësuarit nuk duan, përkundrazi, ekipi i formuar që në fillim, ishte në vendngjarje që në fillim dhe bashkëpunon me të punësuarit në bibliotekë. Unë nuk do lejoj të dëmtohet dhe të punohet pa përgjegjësi me asnjë objekt kulture.”- deklaroi Bisera Kostadinovska-Stojçevska, Ministre e Kultutrës.
Për këto reagoi drejtoresha e bibliotekës. Fjalët e ministres i quan shpifje dhe se po manipulon me faktet. Sipas Rezarta Ismailit, biblioteka në asnjë mënyrë nuk ka qenë e kyçur ose vepruar në bazë politike, por vetëm kulturore.
“Në të vërtetë hapësirat aktuale kanë 158m2, kurse hapësirat ku duhet të zhvendoset kanë 162m2, nga të cilat 13m2 janë korridore dhe shkallë, d.m.th. nuk është hapësirë efektive. Do të thotë hapësira kap 149m2, diku 9m2 më pak se hapësira aktuale. Reagimet kundër zhvendosjes kanë qenë të përmbajtura unanimisht nga të gjithë punëtorët, këshilli dhe unë si drejtoreshë , dhe kanë qenë të motivuar nga pikëpamja e mbrojtjes së kushteve të punës dhe të shërbimit që u jepet lexuesve. “- pohoi Rezarta Ismaili, drejtoreshënë bibliotekën “Koço Racin” Tetovë.
Drejtoresha Ismaili po ashtu shton se nuk është e vërtetë se që nga fillimi ka pasur ekip që është pajtuar për zhvendosjen dhe ka bashkëpunuar në këtë drejtim.
