Edhe pse u premtua për sanimin e plotë të rrugës Ropalcë –Nakushtak në komunën e Likovës, banorët theksojnë se nuk është bërë asgjë dhe se kjo rrugë sërish do të bllokohet nëse do të ketë reshje shiu gjatë periudhës së ardhshme.
Bllokimi i kësaj rruge po tangon jo vetëm fshatin Ropalcë, por edhe 8 fshatra të tjera të kësaj komune, të cilët e shfrytëzojnë këtë aks rrugor për të udhëtuar drejt Shkupit, përmes rrugës së vjetër.
Komuna e Likovës reagoi duke bërë sanimin me mundësitë e saj, por drejtuesit e kësaj komune akuzuan Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, se ajo është përgjegjëse për të zgjidhur këtë problem, pasi që është në kompetencë të tyre.
“Ajo rrugë, është rrugë regjionale dhe e cila është nën kompetencat e agjencisë për rrugë dhe e kanë pas për detyrë që ato ta bëjnë renovimin e saj. Mirëpo edhe pse ne kërkuam rregullimin nga ata, ato nuk morën një hapë të tillë dhe kështu që kur e panë që qytetarët e kërkojnë dhe kishin nevoje për te atëherë ne faktikisht e morëm dhe bëmë sanimin e saj”, kështu u shpreh Nexhati Osmani, Sekretar i komunës së Likovës.
Nga ana tjetër, banorët kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa në kohë për rregullimin e tërësishëm të kësaj rruge, ata do protestojnë duke bllokuar rrugën.
“KOMUNA ÇKA BËRI, S’JEMI TË KËNAQUR. KUR TË BIE SHI, GJITHË ATË DHE E MERR SHIU, DHE KËSHTU BËHET RRUGA KATASTROFË. KËRKOJMË TË BËHET URË”
“JU VETË E SHIHNI, KOMUNA S’KA BËRË ASGJË”
“KËRKOJMË TË RREGULLOHET MË MIRË .TË BËJNË NJË URË, MURE, KU TE KEMI EDHE TE KALOJME”, këto ishin disa nga ankesat e banorëve.
Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore ka theksuar se nuk është kompetencë e tyre kjo rrugë. Zyrtarë të saj deklaruan për TV21 se rruga që përmendet nuk është regjionale, por premtuan se do të shqyrtojnë dhe ta zgjidhin problemin.
