Zgjidhja është tek propozimi portugez, Osmani: Jep garanca për zbatimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë

TË FUNDIT

Propozimi portugez për zgjidhje mes Shkupit dhe Sofjes, është i kujdesshëm duke i pasur parasysh interesat e të dyja palëve, vlerëson Ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani. Pa zbuluar detaje të propozimit, krye diplomati mbrëmë në ClickPlus tha se propozimin e sheh si një mundësi të mirë si për ne, po ashtu edhe për Bullgarinë, të përfitojnë nga ky ndërmjetësim.

“Unë mendoj që propozimi portugez është një bazë e mirë për të gjetur një zgjidhje për shkak se jep garanca shtesë, garanca serioze, për implementimin e marrëveshjes dhe meqë kemi pajtueshmëri të dyja palët se marrëveshja është zgjidhja, po presidenca portugeze jep garanca për implementimin e kësaj marrëveshjeje, atëherë ku është problemi?! Prandaj unë mendoj se zgjidhja është te propozimi portugez dhe unë mendoj se kemi hapësirë që në javët që vijnë ta diskutojmë këtë propozim dhe eventualisht ta aprovojmë të dyja palët që të ecim para”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Drejtori ekzekutiv i Eurothink, Dimitar Nikollovski, propozimin portugez e sheh vetëm si një zhvendosje të lehtë të çështjeve dhe nuk pret se do të zgjidhë diçka, megjithatë mund të japë ndonjë bazë që më vonë të debllokohet. Sa i përket Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë, ai vlerëson se e njëjta nuk është zbatuar sa duhet.

“Nga vetë fakti se nuk është mjaftueshëm e definuar se çfarë do me thënë “histori e përbashkët” ose “histori që e ndajmë mes vete”, mendoj se po, ajo marrëveshje nuk është zbatuar mjaftueshëm, megjithatë është jo falënderuese që të pritet që Komisioni i Historisë deri më tani të kishte shumë zgjidhje për shumë çështje. Nëse e krahasojmë me Komisione të tjera të historisë në Evropë, se sa dekada punojnë, mendoj se duhet tu lihet hapësirë dhe kohë edhe komisionit tonë që të zgjidhë më shumë çështje dhe nuk duhet të lidhet procesi eurointegrues me rezultatet e komisionit”, tha Dimitar Nikollovska nga Eurothink.

Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të mira, Nikollovski si më urgjente e konsideron zbatimin e projekteve ekonomike dhe infrastrukturore.

Nga ajo që mediat bullgare kanë zbuluar deri më tani nga propozimi portugez, mes të tjerash thuhet se Maqedonia duhet të pajtohet se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945, por për Bullgarinë është i papranueshëm fakti se nuk përmendet prejardhja e gjuhës, e cila sipas tyre është bullgare. Më tej thuhet se autoritetet maqedonase duhet të përgatisin një Plan Aksionar për zbatim të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë përmes Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit. Një qëndrim final i Bullgarisë për këtë propozim pritet të jepet më 22 qershor, në Këshillin e Punëve të Përgjithshme të BE-së në të cilin do të sillet vendim për Maqedoninë dhe Shqipërinë.