Zgjedhjet mes çekanit dhe kudhrës, LSDM është për zgjedhje të shpejta, VMRO kundër, ASH do të pres temperaturat e larta

TË FUNDIT

Partitë tashmë kanë qëndrime të qarta për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. LSDM është për zgjedhje të shpejta, VMRO-DPMNE tani për tani është kundër, ndërsa Aleanca për Shqiptarët kërkon që zgjedhjet të mbahen kur temperaturat të jenë të larta që të shkatërrohet virusi.

Nga Bihaçka theksojnë se nuk mund të funksionoj shteti pa Kuvend, andaj janë për zgjedhje të shpejta.

“Gjendemi në një fazë tjetër që Kovid-19 ngadalë por sigurt po e humb intensitetin. Qëndrimi ynë është që menjëherë pas normalizimit të korona virusit të shkojmë në zgjedhje. Pse? Për shkak se është shumë e rëndësishme dhe e mirë për ekonominë, gjithsesi duke pasur parasysh edhe mendimet që thuhen nëpër Evropë dhe Botë se mund të kemi valë të re të Kovid-19. Është përgjegjësi të kemi zgjedhje demokratike dhe gjithsesi parlament funksional”, tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE thonë se do të presin qëndrimin e nesërm të Gjykatës Kushtetuese, se a do të aktivizohet përsëri Kuvendi, duke përsëritur qëndrimin se tani më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve.

“Nuk do të lejojmë infektim të gjithë vendit dhe numër të madh të të infektuarve vetëm që Zaev dhe LSDM të zvogëlojnë humbjen. Kurdo që të ketë zgjedhje, kudo që të ketë zgjedhje, kurdo që të organizohen, VMRO-DPMNE fiton. Por, nuk është qëllimi që VMRO-DPMNE të fitojë kur i gjithë vendi do të infektohet. Nuk duam Qeveri të formuar në atë mënyrë”, tha Igor Janushev, VMRO-DPMNE.

Njeriu i parë i Aleancës për shqiptarët kërkon që zgjedhjet të mbahen kur temperaturat të jenë të lartë që, siç thotë, të shkatërrojnë virusin. Të jenë kufijtë e hapura dhe procesi të jetë nën mbikëqyrje të OSBE/ODIHR.

“Zgjedhjet duhet të mbahen në momentin që do të ketë kushte që misioni vëzhgues ndërkombëtare i OSBE-ODIHR do të jetë prezent, në momentin që virulenca e virusit është më e ulët të mbahen në fund të korrikut dhe në fillim të muajit gusht dhe në momentin që krijohen kushte që cdo qytetarë me të drejtë vote që ka dëshirë të vijë e të votoj, dhe këtu bën pjesë edhe diaspora dhe me fjalë të tjera zgjedhjet duhet të mbahen kur të hapen kufijtë“, tha Zijadin Sela, kryetar i ASH.

Javën e ardhshme te presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, duhet të mbahet takim liderësh ku do të bisedohet edhe për zgjedhjet. Siç mësuam nga burime partiake, lideri i LSDM si datë për zgjedhje pritet të propozoj 14 qershorin.