Këto zgjedhje lokale, as për Hristijan Mickoskin dhe as për Venko Filipçen nuk janë zgjedhje të zakonshme. Por çfarë shohin ata te to?! Mesazhet që i dërgojnë nga mitingjet madje ndonjëherë tingëllojnë sikur zgjedhjet janë çështje “të jesh apo të mos jesh”, dhe jo për atë se kush do ta drejtojë komunën dhe do t’i zgjidhë problemet. Sipas Mickoskit, zgjedhjet lokale më 19 tetor do të vendosin se ku do të shkojë Maqedonia, madje dhe se kjo do të ndikojë te Qeveria.
“Në këto zgjedhje vendosim se si do të lëvizë Maqedonia. A duam të kthehet mbrapsht te ata që e shkatërruan për 7 vjet, apo duam të ecim përpara dhe ta zhvillojmë së bashku me popullin. A duam të kthehet Qeveria apo të jetë pjesë e Qeverisë një parti politike që e shkatërroi Maqedoninë, apo të mbetet kjo koalicion që për 15 muaj punon për Maqedoninë dhe popullin”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Edhe kreu i socialdemokratëve, Venko Filipçe, thotë se për të këto zgjedhje janë momenti kyç për partinë dhe se prej tyre varet nëse LSDM do të jetë kundërshtar i fortë ndaj pushtetit, edhe pse kjo në parim duhet të varet nga funksionimi brenda radhëve të tyre.
“Tani kur Maqedonia përsëri është vënë nën kërcënim nga VMRO-DPMNE që e shtyjnë shtetin në izolim, tërheqje mbrapa, uzurpim dhe regjim, fuqia juaj dhe zëri juaj vlejnë më shumë se kurrë. Këto nuk janë zgjedhje lokale të zakonshme. Ky është moment që duhet një LSDM e fortë, që do të jetë kundërshtare e fortë ndaj VMRO-DPMNE-së”, pohoi Venko Filipçe – Kryetar i LSDM.
Edhe pse nga të dyja partitë politike u premtua se do të zhvillohet një fushatë pozitive, pjesë e madhe e saj përdoret për diskreditimin e kundërshtarit politik. Kohët e fundit në fushatë u përfshi madje edhe ish-kryetari i LSDM-së Zoran Zaev me akuza kundër tij.