Maqedonia e Veriut më 15 korrik do t’i zhvillojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, edhe atë në kohë pandemie kur numri i të infektuarve me koronavirus në nivel ditor është treshifror. Por a do të jetë kjo pengesë që qytetarët në ditën e zgjedhjeve të mos dalin në votime!? TV21 zhvilloi një anketë për të pyetur qytetarët se a do të dalin të mërkurën për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë?
“Po do të dalim të votojmë”.
“Mendoj se do të dal të votoj”.
“Po do të dal”.
“Jo nuk do të dal. Nuk e ndjejë nevojën të dal të votoj”.
“ Po do të dal të votoj”.
“Ende po mendohem”.
“Po sigurisht që do të dalim të votojmë”.
Por a frikësohen qytetarë të dalin të votojnë për shkak të infektimit me Covid-19 dhe a i dinë rregullat se si duhet të sillen në ditën e votimit?
“Nëse frikësohem nga virusi as tani nuk do të kisha dal jashtë. Aty ka rregulla të cilat duhet të respektohen dhe duhet të gjithë të dalin të votojnë. Të votosh është e shumë e rëndësishme për shtetin”, tha një qytetar.
“Mbaj maskën dhe mjetet dezinfektuese. Kam qenë anëtare e bordit zgjedhor dhe i di rregullat”.
“Nuk frikësohem nga virusi do të kemi kujdes sipas rregullave. Është e rëndësishme të dilet të votohet sepse është shumë e rëndësishme të dëgjohet vullneti I popullit”.
“I dimë rregullat se si duhet të votohet dhe nuk ka problem. Është e rëndësishme të dalim sepse duhet ta rregullojmë shtetin tonë ajo është puna”.
“Normal duhet me marr masa duhet ta respektojmë distancën por virus nuk ka. Po është e rëndësishme të votohet. Po duhet të rregullohet diçka sepse nuk është në rregull nuk është puna mirë”.
“Nuk frikësohemi nga virusi. I di të gjitha rregullat se si duhet të votohet edhe nëse nuk do t’i dija ato atje do të më tregonin. Patjetër që duhet të votohet, është e rëndësishme të kemi Qeveri, Kuvend dhe të funksionojnë institucionet e sistemit”.
Për shkak të pandemisë me korona virusin, votimi do të zhvillohet sipas protokolleve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të përgatitur nga Komisioni për sëmundje infektive. Përveç vendit tonë, zgjedhje gjatë pandemisë kanë zhvilluar edhe vendet e rajonit si Serbia dhe Kroacia.
