“Zgjedhje dhe referendum deri më 15 maj”, Zelensky përballë presionit të Trump

TË FUNDIT

Më 24 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të shpallë zgjedhjet presidenciale dhe një referendum, që do të zhvillohet deri më 15 maj. Kështu raporton Financial Times, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe europianë.

Sipas burimeve, Ukraina ka filluar të planifikojë mbajtjen e zgjedhjeve së bashku me referendumin mbi bazën e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë, pasi administrata e Donald Trump ka ushtruar presion mbi Kievin. Sipas presidentit amerikan, nëse këto dy procese nuk realizohen deri në atë afat, rrezikohet humbja e garancive të sigurisë të propozuara nga SHBA-të.

Ndërkohë zyra e presidentit Zelensky ka reaguar si më poshtë:

Për aq kohë sa nuk ka siguri, nuk do të ketë asnjë njoftim për zgjedhjet!

Reuters raportoi javën e kaluar se, sipas një marrëveshjeje në diskutim midis negociatorëve amerikanë dhe atyre ukrainas, çdo marrëveshje paqeje do t’i nënshtrohej votuesve ukrainas përmes një referendumi, i cili do të zhvillohej njëkohësisht me zgjedhjet kombëtare.

Nga ana tjetër, Rusia nuk ka marrë ende tekstin e planit të paqes me 20 pika për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, as përmes kanaleve zyrtare dhe as jozyrtare.

Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, gjatë një interviste. Ai shtoi se ukrainasit “po e shfaqin një dokument që askush nuk na e ka lexuar”.

Përmbajtja e dokumentit është publikuar pjesërisht në media.

Sipas Lavrov-it, bazuar në marrëveshjen midis presidentëve të Rusisë dhe SHBA-ve, Vladimir Putin dhe Donald Trump, gjatë takimit të tyre në Alaska, mund të negociohet shpejt një plan për zgjidhjen e konfliktit. Megjithatë, ai shtoi se dokumenti është “rishikuar” disa herë.