Bashkimi Demokratik për Integrim është për zgjedhje të parakohshme parlamentare në prill të vitit 2024, bashkë me ato presidencialet, u shpreh zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, në forumin e organizuar për 100 ditëshin e Qeverisë Kovaçevski.
“BDI si pjesëmarrës në këtë koalicion konsideron se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen në prill 2024 bashkë me zgjedhjet presidenciale. BDI si pjesë e këtij koalicioni e përkrah fuqishëm shumicën parlamentare, koalicionin qeverisës dhe jemi këtu për ti realizuar këto projekte. Qytetarëve nuk u duhet paparashikueshmëri, nuk u duhen aventura të zgjedhjeve sepse këto u ju duhen vetëm axhendave destabilizuese të rajonit, të cilat i bën dikush tjetër”, tha Artan Grubi, zvkm1.
Kjo deklaratë e Grubit vjen një ditë pas kërkesës së kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski për zgjedhje të parakohshme parlamentare. I pyetur për kundërshtimin e LSDM-së dhe BDI-së për zgjedhje, Mickoski sot nga Shtipi kërkoi pak durim dhe paralajmëroi ndërmarrjen e hapit të radhës për arritjen e kësaj.
“Pak durim…hap pas hapi në periudhën në vijim do të mblidhen organet e partisë, Komiteti Ekzekutiv dhe Komiteti Qendror, do të kemi edhe konsultime sociale, grupi parlamentar, kryetarët e komunave dhe shumë shpejt sot do të dalim me hapin e dytë“, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.
Sa i përket kërkesës së Mickoskit për takim liderësh, të cilës kryeministri Dimitar Kovaçevski iu përgjigj se “nuk pranon shantazhe”, lideri opozitar shprehu keqardhje që LSDM dhe Qeveria nuk kanë urtësi dhe kapacitete shtetformuese.
“Prita pak më shumë analitikë dhe që Kovaçevski të marrë guxim duke dalë para mediave dhe nëse tashmë ka vendosur ta refuzojë zgjatjen e dorës nga unë dhe VMRO-DPMNE, këtë ta bënte në skenë të hapur, të mos fshihet prapa statuseve në rrjete sociale ose të dërgojë figura të panjohura që këtë ta bëjnë në vend të tij”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.
Edhe lideri i partisë opozitare Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, ditë më parë ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, duke u shprehur se kur ka kriza dhe Qeveri të paaftë për të menaxhuar me to, ajo që duhet të bëjë ekzekutivi është të largohet dhe të formohet shumicë e re që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
