Pranimi i refugjatëve nga Lindja e Afërt dhe Afrika në territorin e Republikës së Çekisë bartë me vete tri rreziqe të mëdha-përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, terrorizmin e Shtetit Islamik dhe krijimin e getove të reja, ka vlerësuar Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman.
Zeman tërhoqi vërejtjen se me refugjatët në Çeki mund të hyjnë edhe qlizat e Shtetit Islamik, agjentët e fjetur të kësaj organizate, rë cilët mund të aktivizohen më vonë dhe të ndërmarrin sulme, siç ishin sulmet në Paris, Londër apo Madrid, njoftuan mediet çeke.
Sipas mendimit të presidentit çek, pjesa më e madhe e refugjatëve hyjnë në kategorinë e migrantëve ekonomik, e jo në atë të njerëzve që vërtetë arratisen nga konfliktet, duke vlerësuar se ata nuk dëshirojnë të punojnë në Çeki dhe shtoi se ata në vend mund të fusin sëmundje ngjitëse dhe të nxisin krijimin e getove.
Zeman gjithashtu theksoi se refugjatët, të cilët kalojnë transit nëpër territorin çek, kur Gjermania të vendos të ndal pranimin e tyre, do të mbesin në Çeki dhe në këtë rast sipas tij vendi duhet të mbrojë kufijtë e vet, duke angazhuar policinë dhe ushtrinë, nëse dëshmohet se mbrojtja e kufijve të Evropës nuk po funksionon./21Media
