Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka ofruar garanci ushtarëve rusë që dorëzohen tek forcat ukrainase. Ai po ashtu u ka bërë thirrje rusëve të shmangin mobilizimin e pjesshëm ushtarak të vendit të tyre.
Në fjalimin e natës të 24 shtatorit, të cilin e mbajti në gjuhën ruse, Zelensky ofroi garanci për rusët që janë kapur rob derisa luftonin në Ukrainë.
“Ukraina garanton tri gjëra për çdo ushtar rus që dorëzohet. Së pari, do të trajtoheni në mënyrë të civilizuar, në përputhje me të gjitha konventat. Së dyti, askush nuk do t’i dijë rrethanat e dorëzimit tuaj, askush në Rusi nuk do ta dijë se dorëzimi juaj ishte vullnetar. Dhe së treti, nëse keni frikë të ktheheni në Rusi dhe nuk dëshironi një shkëmbim, ne do të gjejmë një mënyrë për ta garantuar këtë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas tha se mobilizimi i pjesshëm i Rusisë, i cili synon të mbështesë forcat ruse që kanë luftuar në Ukrainë që nga pushtimi i paprovokuar i Moskës në shkurt dhe që së fundmi kanë pësuar pengesa të mëdha ushtarake në lindje të Ukrainës, është një “krim”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 21 shtator njoftoi për mobilizimin ushtarak në mënyrë që të forcohet pushtimi i paprovokuar i Ukrainës dhe pasi forcat ruse pësuan humbje në fushëbetejë.
