Zelensky: Rusia po saboton bisedimet për paqe

TË FUNDIT

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se pati një takim me Ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan.

Në një postim në rrjetin social X, presidenti ukrainas shprehu mirënjohjen e tij ndaj Turqisë dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për kontributin e tyre në përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, duke theksuar rolin e Ankarasë në organizimin e takimit që rezultoi në lirimin e një mijë ukrainasve nga robëria ruse.

Siç theksoi ai, kthimi i të gjithë të burgosurve ukrainas nga Rusia mbetet një përparësi kyçe për Kievin. Njëkohësisht, ai denoncoi qëndrimin e Moskës, e cila sipas tij jo vetëm që vazhdon sulmet dhe është indiferente ndaj thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, por as nuk ka dërguar memorandumin që kishte premtuar pas shkëmbimit të 1,000 të burgosurve.

“As Ukraina dhe as Turqia nuk kanë marrë ndonjë dokument përkatës”, tha Zelensky, duke shtuar se që një takim të jetë kuptimplotë, duhet të ketë një axhendë dhe përgatitje të qartë, të cilën – siç tha ai – Rusia po e saboton. “Fatkeqësisht, Rusia po bën gjithçka që mundet për të siguruar që takimi i ardhshëm i mundshëm të mos japë rezultate”, theksoi ai.

Presidenti ukrainas e mbylli postimin e tij duke shprehur vlerësimin e tij për qëndrimin “e qartë dhe konsistent” të Turqisë në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm që, siç vuri në dukje ai, forcon fuqinë e diplomacisë.