Pasi shfryu gjithë zemërimin e tij në rrjete sociale, takoi “të mëdhenjtë” e NATO-s në Vilnius të Lituanisë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pranoi atë që iu ofrua nga udhëheqësit e aleancës dhe liderët e vendeve anëtare: anëtarësimin pas përfundimit të luftës. Një afat të qartë kohor për aderimin nuk mori. Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ai tha se e kupton frikën dhe shqetësimin e disave për të shmangur një luftë botërore.
“Marrja e ftesës për tu bërë vend anëtar i NATO-s është si çështja e statusit të vendit kandidat për në BE. Kjo nuk do të thotë se ne do të anëtarësohemi në BE menjëherë, por është një sinjal që jepet. Është e njëjta çështje edhe me ftesën e NATO-s. Është një sinjal që motivon shoqërinë tonë”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.
“Ukraina është tani më pranë NATO-s se kurrë më parë. Aleatët rikonfirmuan se Ukraina do të bëhet një vend anëtar i Aleancës dhe u pajtuan që të heqin kërkesën për anëtarësim në planin e veprimit”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Kreu i aleancës sqaroi se ngritja e këshillit NATO-Ukrainë, ku 31 shtetet anëtare dhe Kievi janë palë të barabarta, forcon bashkëpunimin politik. Në atë këshill do të merren vendime të përbashkëta. Më pas diskutimi kaloi një çështjen e furnizimeve të Ukrainës me armatime dhe ofrimin e mbështetjes deri në triumfin ndaj Rusisë.
