Zelensky: Mbi 6 orë sulme ruse mbi Ukrainën, Evropa ka nevojë për sisteme antibalistike

TË FUNDIT



Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se Rusia kreu një sulm masiv gjatë natës ndaj Dnipros, Odesës dhe rajoneve të tjera të vendit, duke përdorur 524 dronë dhe 22 raketa balistike e me krahë. Sipas tij, nga sulmet u dëmtuan ndërtesa banimi, infrastruktura energjetike dhe një anije kineze në Odesa, ndërsa dhjetëra persona mbetën të plagosur, përfshirë edhe fëmijë. Zelensky bëri thirrje për forcimin urgjent të mbrojtjes ajrore dhe sistemeve antibalistike të Ukrainës dhe Evropës.

“Mbi 6 orë gjatë natës zgjati sulmi rus ndaj Dnipros dhe rajonit përreth. Nga sulmi me raketa u dëmtua një ndërtesë shumëkatëshe, ndërsa pati shkatërrime të mëdha edhe në infrastrukturë tjetër civile. Në rajon u godit sektori energjetik dhe shtëpi banimi. Pati goditje me dronë edhe në Odesa, ku një nga dronët goditi një anije që i përkiste Kinës. Rusët nuk mund të mos e dinin se për çfarë anijeje bëhej fjalë në det. Në total pati shkatërrime në tetë rajone dhe deri tani raportohet për dhjetëra të plagosur në të gjithë vendin, mes tyre edhe fëmijë. Në këtë sulm, rusët përdorën gjithsej 524 dronë sulmues dhe 22 raketa të llojeve të ndryshme – balistike dhe me krahë. Në shumë komunitete kufitare dhe pranë vijës së frontit alarmi vazhdon ende, por kudo që situata e sigurisë e lejon, shërbimet tona po punojnë. Rusia mbështetet te raketat balistike për të goditur njerëzit dhe pikërisht për këtë arsye duhet të bëjmë gjithçka në Evropë që të ketë mbrojtje të besueshme kundër tyre. Evropa duhet të ketë sistemet e veta antibalistike dhe të jetë e vetëqëndrueshme përballë këtyre kërcënimeve. Po e përsërisim sërish: na nevojitet mbrojtje jonë antibalistike dhe forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës që tani. Kjo javë do të jetë e përkushtuar për punë me partnerët për forcimin e mbrojtjes së jetëve njerëzore. Faleminderit të gjithëve që tashmë po punojnë për këtë së bashku me Ukrainën”, shkroi Zelensky.