“Odisea” ka shënuar dy rekorde historike në arkat botërore gjatë fundjavës, duke u kthyer në filmin më të suksesshëm komercial të karrierës së Christopher Nolan.
Përshtatja kinematografike e eposit homerik, me Matt Damon në rolin e Odiseut, ka kaluar shifrën e 1.1 miliardë dollarëve në arkëtime, duke lënë pas “The Dark Knight Rises” të vitit 2012, i cili kishte grumbulluar 1.08 miliardë dollarë.
Në të njëjtën kohë, “Odisea” është bërë filmi me arkëtimet më të larta në historinë e IMAX, me 289 milionë dollarë, duke thyer rekordin e “Avatar” të vitit 2009, i cili kishte arkëtuar 271 milionë dollarë nga shfaqjet IMAX.
Aktualisht, filmi renditet i dyti në listën e filmave më të suksesshëm të vitit, pas “Spider-Man: Brand New Day”, që ka arritur në 1.67 miliardë dollarë. “Odisea” është gjithashtu filmi i dytë me klasifikimin R më i suksesshëm në historinë e kinemasë, pas “Deadpool & Wolverine” të vitit 2024, që arkëtoi 1.3 miliardë dollarë.
Rekordet e arritura marrin edhe më shumë rëndësi pasi “Odisea” ende nuk e ka përfunduar rrugëtimin e saj në kinema. Deri tani, filmi ka gjeneruar 461 milionë dollarë në SHBA dhe 643 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare, duke e çuar totalin në rreth 1.1 miliardë dollarë në mbarë botën.
Vetëm gjatë fundjavës së katërt të shfaqjes, filmi arkëtoi 110 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare, prej të cilave 79 milionë dollarë jashtë SHBA-së dhe 31.5 milionë dollarë në tregun amerikan.
Suksesi pritet të rritet edhe më tej, pasi filmi ende nuk ka debutuar në Kinë, tregu i dytë më i madh kinematografik në botë. Sipas “Variety”, premiera në Kinë pritet të zhvillohet më 14 gusht.
Filmi ndjek udhëtimin plot aventura të Odiseut drejt Itakës, pas përfundimit të Luftës së Trojës, duke sjellë në ekran një prej veprave më të njohura të letërsisë botërore.
Përkrah Matt Damon në kastin e filmit janë edhe Anne Hathaway, Tom Holland, Zendaya, Robert Pattinson, Samantha Morton, Charlize Theron, Lupita Nyong’o, Elliot Page, Jon Bernthal dhe John Leguizamo.
Christopher Nolan konsiderohet një nga regjisorët më të suksesshëm komercialë të brezit të tij. Filmat e tij kanë gjeneruar në total më shumë se 7 miliardë dollarë në arkat botërore, ndërsa tre prej tyre “Odisea”, “The Dark Knight” dhe “The Dark Knight Rises” kanë kaluar pragun e një miliard dollarëve.
