Alternativa nuk ka bërë asnjë hap që të ndihmojë rastet gjyqësore për të cilët dyshohet se ka ndikim politik, deklaroi në “Click Plus” deputeti i pavarur Skender Rexhepi. Madje shtoi se Alternativa i ka të gjitha mundësitë dhe fuqinë politike që ta kushtëzojë Qeverinë për hetim ndërkombëtarë në rastet e dyshimta si “Monstra” e “Alfa” por nuk po e bën një gjë të tillë.
“Alternativa ta japë golin e vet politik, të këmbëngulë kundër Qeverisë, ose do të bëhet marrëveshja për sjelljen e një komisioni ndërkombëtarë që të hetojë rastet e montuara politike, ose e braktisim Qeverinë”, tha Skender Rexhepi, deputet i pavarur.
Për të kushtëzuar qeverinë për hetim ndërkombëtarë, deputeti Rexhepi tha se Alternativa e ka edhe mbështetjen e tij pa asnjë gjë në këmbim.
“Le të dalë Alternativa, publikisht ka 3 deputetë edhe të kërkojë nga kryeministri që kjo pikë të jetësohet ose e braktisim qeverinë, unë e nënshkruaj braktisjen e qeverisë në atë moment. Le të bie Qeveria”, pohoi Skender Rexhepi, deputet i pavarur.
Megjithatë sipas Rexhepit ka një problem. Sipas tij deputet dhe ministrat e Alternativës nuk duan të bëjnë një gjë të tillë për shkak të akomodimit të mirë në Qeveri.
“Ministrat e Alternativës kanë mundësi të bllokojnë Qeverinë, ose do të kalojë kjo pikë ose thjeshtë bllokohet Qeveria. E kanë atë fuqi dhe të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe deputetët e Alternativës?
– Atëherë nuk dinë, nuk duan apo kanë frikë? Më shumë është se s’po duan sepse janë akomoduar. Arsyeja është akomodimi i mirë në pushtet dhe tash po funksionon mirë sipas atyre”, tha Skender Rexhepi, deputet i pavarur.
Alternativa një vit më parë ishte bërë pjesë e Qeverisë me një program në të cilin pika e 2-të ishte që të dërgohej kërkesë zyrtare deri te Komisioni Evropian, që të vijë një ekip ekspertësh të pavarur për të kryer hetim ndërkombëtarë në proceset e dyshuara si “Monstra”, “Alfa”, “Lagja e Trimave” dhe “Almiri”.
