Një pjesë e madhe e fshatit Zajaz ende nuk ka kanalizim. Ujërat e zeza derdhen në kanalet rreth rrugëve. Kur kalon këtyre lagjeve, ndjehet kundërmimi. Banorët ankohen çdo herë për këtë problematikë, por hezitojnë të flasin para kamerës.
“Edhe pse jemi në shekullin 21 banorët e fshatit Zajaz përballen me mungesën e kanalizimit, kanalizimi në fshatin Zajaz është premtuar gati çdo cikël zgjedhor, por ende nuk është realizuar, banorët prapa kamerës së TV21 thanë se ai është një projekt I domosdoshëm që duhet të realizohet sepse më të vërtetë ju përbën problem”, tha Salije Sadiku, gazetare TV21.
Për këtë, në vitin 2020 në emisionin “Click Plus” e pyetëm kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin, i cili edhe vetë jeton në këtë fshat, por atëkohë Ahmeti pyetjen e quajti provokuese.
“A mund të na thoni si është gjendja në fshatin dhe në lagjen tuaj aty në Zajaz? Nëse krahasojmë me këtë që pamë sot në Çair, me sallën e re me investime që kemi në Çair pse si kemi edhe në Zajaz?
A mos është pak sa provokative Fatmir? Për zotin provokative se di pse po e cilësoni unë nuk ju ves për një gjendje të rrugës, banorët nuk donin të flisnin. Pse bash për Zajazin, unë jam përfaqësues i shqiptarëve, nuk jam përfaqësues i Zajazit”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Dy vite më vonë, duke parë që nga ky projekt nuk ka asnjë zhvillim, e pyetëm sërish kreun e BDI-së për këtë problematikë.
“Në Zajaz besoj që përfundimisht do të fillojë ndërtimi i kanalizimit sepse nuk është varur as prej nesh as prej komunave, çështjet burokratike ka dy vite që zhagitet çështja e kanalizimit. 23 Nëntor pothuajse të njëjtët përgjigje e keni dhënë 2020, një vjet e gjysmë. Po pse nuk shkoni t’i pyesni ata që e zhagisin po më pyesni mu, kjo bëhet me fonde të BE-së dhe ata nxjerrin problem teknike, kështu që kjo ishte e gjitha për Zajazin”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Fatmir Dehari gjatë marrjes së mandatit të tretë si kryetar i Komunë së Kërçovës, projektin e kanalizimit të Zajazit e futi në projektet kapitale të cilat duhet të përfundohen deri në fund të vitit 2022.
“Nga ky rast ju përcjellë lajmin e bukur që nga dita e sotme deri në vitin 2022 që na pret me buxhetin e ri fillojnë të realizohen rreth 20 milionë euro investime kapitale, duke u nisur nga më i madhi kanalizimi i ujërave të zeza që përfshinë territorin e Zajazit”, tha Fatmir Dehari, kryetar i komunës së Kërçovës.
Projekti është i financuar me IPA fonde nga Bashkimi Evropian. Vitin e kaluar projekti u hodh poshtë nga zyrat e BE-së në Maqedoni, ndërsa i njëjti është përsëritur sërish por ende nuk ka ndonjë zhvillim konkret dhe si duket sërish ka ngecje. Përveç kanalizimit në fshatin Zajaz edhe rrugët nuk janë në gjendje të mirë, janë të prishura dhe me gropa, ndërsa në çdo cep të rrugëve mund të shohësh grumbuj me mbeturina.
