Zaharieva: Fqinjët mund të vetëvendosin, “askush asnjëherë nuk e ka kontestuar identitetin e maqedonasve”

TË FUNDIT

Bullgaria në asnjë mënyrë nuk e ka kontestuar të drejtën e maqedonasve për vetëvendosje, thotë shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, në intervistë për televizionin bullgar “Nova”.

“Nuk është hera e parë që para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria të jetë temë interesante. Askush nuk ua konteston të drejtën që të përcaktohen si të duan dhe askush nuk guxon të bëjë një gjë të tillë. Askush nga Bullgaria, e drejta për vetë-përcaktim është e drejta e çdokujt, duke i përfshirë edhe bullgarët, çdokush mund të përcaktojë veten si të dojë”, tha Ekaterina Zaharieva, MPJ e Bullgarisë.

Megjithatë, siç thekson, kjo nuk duhet bazuar në gjëra të pavërteta dhe fushata kundër Sofjes zyrtare, që ishte edhe arsye për arritjen e Marrëveshjes për Miqësi dhe Fqinjësi të Mirë.

“Vetë -përcaktimin dhe kombin që e ndërtojnë që nga viti 1944, nuk duhet të themelohen në gënjeshtra dhe fushatë antibulgare. Duhet të themelohen në të vërtetë. Baza e marrëveshjes sonë është historia. Historia e përbashkët. Askush nuk ua konteston të drejtën të kenë shtet dhe të vetëpërcaktohen”, tha Ekaterina Zaharieva, MPJ e Bullgarisë.

Nga ana tjetër, Borisovi porositi se Bullgaria, sa fort e mbështet vendin tonë në rrugën drejt BE-së, aq fort qëndron në atë se duhet t’i përmbahemi historisë dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

“Ne të parët i mbështetëm për në NATO. Për çfarë nuk i kemi mbështetur? Çfarë duhet të bëjmë? Të dalim dhe në fund të themi ne jemi maqedonas? Ne mbaruam punë, i respektuam dhe do u jepja këshill vëllazërorë të mos vendosin kushte të pamundura”, tha Bojko Borisov, kryeministër i Bullgarisë.

Së fundmi, euroambasadori bullgar, Andrej Kovaçev, u kërcënua se Bullgaria do të mund të vendosë veto për fillimin e negociatave të vendit me BE, në qoftë se Komisioni i përbashkët historik nuk fillon me punë deri në qershor.

Zaharieva, javën e kaluar refuzoi ta komentojë qëndrimin e Kovaçevit, por theksoi se këmbëngul se Komisioni duhet të vazhdojë me punë, duke shtuar se gjatë procesit negociues të një vendi për anëtarësim në BE, nevojitet pajtimi i secilit shtet-anëtar të Unionit për hapje dhe mbyllje të kapitujve, si dhe për tërë procesin e negociatave.

Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë, thonë se Qeveria maqedonase do të vazhdojë me komunikimin dhe konsultimin e përforcuar në nivel politik me Komisionin Evropian, me Bullgarinë, si dhe me vendet-anëtare të tjera të BE-së.