Zaevi nuk e jep Filipçen dhe Hasanin, kontakti elektrik në kabllon vazhduese shkak për zjarrin

TË FUNDIT

Kryeministri Zoran Zaevi nuk i jep Filipçen dhe Hasanin.

Megjithëse dolën rezultatet e para nga shkaku i zjarrit Zaev ende ngurron t’i pranojë dorëheqjet e të parëve të shëndetësisë. Sipas tij duhet pritur të përfundojnë të gjitha ekspertizat që të sjellë një vendim, duke lënë të kuptohet se nuk mendon se ministri dhe zv/ministri i Shëndetësisë bartin ndonjë faj.

 “Kompetentë janë organet që e hetojnë rastin, sikurse në të gjitha shtetet edhe te ne PP, gjykatat etj. Nëse vërtetojnë gabim njerëzor apo çfardo lloj gabimi, ata e adresojnë atë çështje,  këtu bëhet fjalë për moment politik, për dorëheqje mbi bazë morale, për të cilat unë kam thënë se baza dhe njëra nga pikat më me ndikim mbi vendimin tim që t’i pranojë këto vendime, do të jetë burimi i ekspertizës se përse ka ardhur te zjarri dhe si u shkaktua”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Pas pothuajse një muaji nga shpërthimi i zjarrit në Spitalin modular të Tetovës, kanë dalë informacionet e para për shkaqet e fatkeqësisë. Zjarrin e ka shkaktuar kontakti i shkurtër elektrik në kabllon vazhduese, ku ka qenë i kyçur defibrilatori, një mbushës telefoni dhe një aparat tjetër, thotë raporti që doli nga Prokuroria Themelore Publike, i cili është përpunuar nga Departamenti për hetime kriminalistiko-teknike pranë MPB-së.

 “Nga analizat është konfirmuar se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një kontakti të shkurtër elektrik, për shkak të presionit të madh nga defibrilatorët e kyçur, me të cilët është bërë reanimacion i një pacienti, në njërën nga dhomat e spitalit. Presioni mbi kabllon ka shkaktuar zjarr në prizën elektrike nga kabllo vazhdues, në të cilin kanë qenë të kyçur defibrilatori, një mbushës telefoni dhe një aparat tjetër”, thonë nga Prokuroria Publike.

Kjo ekspertizë është vetëm njëra nga dëshmitë e siguruara. Pritet që në Prokurorinë Publike Themelore të arrijnë edhe raportet dhe të dhënat për të cilat Prokuroria ka dhënë urdhër, si dhe ekspertiza e kërkuar nga ekspertët e Gjermanisë. Nga Prokuroria thonë se në mënyrë intensive do të veprojë në lëndën dhe do të ndërmarrin aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit, ku jetën e humbën 14 persona, të cilët u dogjën të gjallë.