ZAEV POHON SE SIGURT NË TETOR DO TË MARRIM DATË, OPOZITA KRITIKON, NUK KEMI GARANCI PËR FILLIM TË NEGOCIATAVE

TË FUNDIT

Këshilli i ministrave për punë të jashtme të vendeve të BE-së solli vendim, përkatësisht garanci formale-juridike se në tetor do të fillojnë negociatat me BE-në. Këtë e theksoi kryeministri Zoran Zaev pas mbajtjes së takimit të ministrave në Luksemburg, me çka i hodhi poshtë kritikat e opozitës se shtatë vende anëtare kanë pasur qëndrim negativ për hapjen e negociatave me BE-në.

“Konkluzioni është garanci absolute, gjë që ishte shumë e nevojshme për mua, besoj edhe për qytetarët. Nëse për shkak të, siç përmendin në konkluzion, vonesës së publikimit të Raportit, data do të jetë në tetor përfundimisht. Atje thuhet, jo më vonë se në tetor”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Në konkluzionin e Këshillit të ministrave thuhet:

Duke e riafirmuar konkluzionin e 26 qershorit të vitit 2018, Këshilli e përshëndet Marrëveshjen e Prespës si dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë dhe Rekomandimin e Komisionit Evropian për hapje të negociatave aderuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut, të bazuara në evoluimin për progres në plotësimin e kushteve të caktuara nga Këshilli. Për shkak të kohës së limituar dhe rëndësisë, Këshilli do t’i kthehet çështjes me qëllim që të arrihet vendim i qartë dhe thelbësor sa më shpejtë që është e mundur, por jo më vonë se në tetor të vitit 2019.

Edhe përkundër konkluzionit të tillë nga Këshilli i ministrave, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se garanci për fillim të negociatave në tetor nuk ka. Nënkryetari Aleksandër Nikollovski akuzoi se kryeministri Zaev që vitin e kaluar ka premtuar se negociatat do të fillojnë në qershor, por edhe përkundër kësaj, ende nuk dihet kur do të marrim datë.

“Mendoj që është joserioze ta komentojmë Zaevin, i cili në qershor të vitit të kaluar tha se është caktuar datë për fillimin e negociatave edhe atë në qershor të 2019. Ja qershori erdhi, jo vetëm që Maqedonia nuk i filloi negociatat, por nuk kemi as vendim se kur do t’i fillojë”, theksoi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

Përndryshe nga Qeveria thonë se në Këshillin e djeshëm në Luksemburg, asnjë shtet nuk ka shprehur dyshime për plotësimin e detyrave. Holanda ka shprehur pritshmëri që të sillet Ligji për Prokurori publike, por pa qëndrim negativ dhe në pajtim për fillim të negociatave në këtë vit. Prej atje shtojnë se më së tepërmi për ne kanë luftuar: Greqia, Austria, Sllovenia, Sllovakia, Luksemburgu, Hungaria, Romania, Malta, Shtetet baltike dhe eurokomisari Johanes Han. Bullgaria është plotësisht pozitive, Franca e përmbajtur me kërkesë për më shumë kohë për vendim për të dyja vendet. Greqia, Austria, Sllovenia dhe Hungaria kanë pasur qëndrim pozitiv për ne. Nga qeveria njoftojnë se konkluzioni u miratua me konsensus, të gjithë janë për vendim pozitiv që negociatat të fillojnë deri në fund të vitit. Të gjitha shtetet u pajtuan ta plotësojnë konkluzionin me mirënjohje të posaçme për Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë. Të gjithë i përshëndesin dhe i konfirmuan rezultatet nga reformat. Të gjithë u detyruan që të sillet vendim i qartë në tetor. Të gjithë në prononcimet e tyre i përshëndetën reformat ne vendin tonë, ndërsa vendimi për të dy vendet do të sillet në tetor, thanë nga Qeveria.

Përgatiti: Svetllana Unkovska