Sekretari i spitalit të përgjithshëm në Ohër është vaksinuar kundër virusit korona edhe pse sipas autoriteteve, nuk ka qenë në kontakt me pacientë që janë me Kovid 19. Në deklaratë për portalin A1on ai tha se ky është linçim klasik ndaj tij.
“Unë u vaksinova që të jap shembull si pjesë e udhëheqësisë, nuk u vaksinova për arsye personale se desha që të vaksinohesha, për mua nuk ka rëndësi, nuk jam i shqetësuar nga Kovidi. Gjatë vitit 2020 nuk kam marrë asnjë ditë pushimi, vazhdimisht jam në punë në spitalin ku punoj”, tha Antonio Naumovski, sekretar në Spitalin e Ohrit.
Ai shtoi se ka vendosur për një hap të tillë për shkak se ka pasur tepricë vaksinash po ashtu për shkak se një numër i madh prej mjekëve dhe infermierëve nuk janë paraqitur për t’u vaksinuar.
“Shkelje është sepse është jashtë planit për vaksinim. Besoj se do të ndërmerren hapa konkrete. Pse? Që të mos përsëriten raste të këtilla dhe të respektohet protokolli që e publikoi Ministria e shëndetësisë”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Përndryshe në mungesë të vaksinave të porositura, vendi ynë ka vendosur që të porositë vaksina edhe nga Rusia.
“Po, dhashë drejtime ashtu siç më njoftuan se ka kapacitet për 100 mijë vaksina shtesë dhe të bëhet porositje prej atje, pra bëmë porositje dhe marrëveshje, përkatësisht realizuam kontakte me një qëllim të vetëm që të mos ndërpritet procesi i vaksinimit dhe i njëjti të vazhdojë me dinamikën e parashikuar”, tha Zaev.
Këtë javë priten informacionet fillestare nga BE-ja, nga marrëveshja e drejtpërdrejt me Pfizer, ndërsa përmes mekanizmit Kovaks pritet që javën e fundit të shkurtit të arrijnë vaksinat kineze.
Deri në fund të javës së ardhshme duhet të arrijnë edhe vaksinat e tjera nga Serbia. Vaksinimi në vendin tonë filloi të mërkurën me dërgesën e parë prej 4.800 vaksinave Pfizer që na i dhuroi Serbia.
