Kryeministri britanik, Boris Xhonson deklaroi sot se miratimi i ligjit të sigurisë në Hong Kong nga ana e Kinës e ka shkelur nivelin e lartë të autonomisë së Hong Kongut dhe paraqet kërcënim për liritë dhe të drejtat e mbrojtura nga Deklarata e Përbashkët e vitit 1984.
“Miratimi dhe imponimi i këtij ligji për sigurinë kombëtare është një shkelje e qartë dhe serioze e Deklaratës së përbashkët kineze-britanike”, deklaroi Xhonson në Parlament.
Sipas tij, ai ligj e shkel shkallën e lartë të autonomisë së Hong Kongut dhe është në konflikt të drejtpërdrejtë me ligjin themelor të Hong Kongut.
Ai deklaroi se, nëse Kina do të vazhdojë në këtë rrugë, Britania e Madhe do t’u lejojë atyre që e kanë statusin e jashtëm britanik të jetojnë dhe të punojnë në Britaninë e Madhe, ndërsa më vonë të aplikojnë për nënshtetësi./MIA
