Kryeparlamentari Talat Xhaferi në emisionin “Click Plus” e hodhi poshtë mundësinë e thirrjes së seancës së Kuvendit. Iniciativën e kryesuar nga LSDM, Xhaferi madje e cilësoi si përpjekje për “grusht-shtet”, pasi siç tha, Kuvendi nuk mund të mblidhet pasi në muajin shkurt deputetët kanë votuar që t’ia kthejnë mandatin qytetarëve.
“Kjo është grusht-shtet, dhe asgjë tjetër. Parlamenti është i definuar në Kushtetutë, organ përfaqësues i qytetarëve. Nuk është organ përfaqësues i ku ta di se kujt. Qytetarët japin mandat për katër vjet, i cili mund të zgjatet vetëm nëse në periudhën e zgjedhjeve, në 90 ditët e fundit shpallet gjendje e jashtëzakonshme ose lufte. Mandatin nuk mund ta shkurtojë askush, përpos me vendim gjyqësor apo me dorëheqje personale të çdonjërit deputet. Çdonjëri deputet lirshëm ka votuar më 16 shkurt për t’ia kthyer mandatin qytetarit”, tha Talat Xhaferi, Kryeparlamentar.
Por, LSDM nuk heq dorë nga kërkesa, sepse vlerësojnë se me konvokimin e seancës do të krijohet mekanizëm kontrolli ndaj Qeverisë. Këtë sipas tyre mund ta bëjë vetëm Kuvendi.
Megjithatë, deklaruan se do ta respektojnë vendimin e Xhaferit, ndërkaq kërkuan që përgjigjen ndaj iniciativës ta marrin me shkrim, e jo nëpërmjet mediave.
“Sikur edhe deri tash, ashtu edhe më tej do ta respektojmë në tërësi qëndrimin e kryetarit të Kuvendit, por ne konsiderojmë se si deputetë më së paku që duhet të ndodh, është të marrim përgjigje nga kryetari i Kuvendit në kërkesën me shkrim e cila është dorëzuar në mënyrë formale dhe jo të marrim përgjigje nëpërmjet mediave”, tha Snezhana Kaleska – Vançeva, LSDM.
Iniciativa nuk mori mbështetjen nga VMRO-DPMNE, ndërsa arsyeja është njësoj siç thotë Xhaferi, se kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat të rikthehet në Kuvend.
“Të vetmit që mund ta mbushin atë sallë, atë Parlament është pikërisht populli në zgjedhje. Nuk mundet Zoran Zaev e as një grup i deputetëve të kaluar, të përpiqen ta shkelin Kushtetutën kush e di për të satën herë, dhe të mblidhen në mënyrë antikushtetuese”, tha Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Hedhja poshtë e mundësisë së konvikimit të seancës për shkak të kthimit të mandatit të deputetëve, shkaktoi edhe dilemën: Se pse deputetët marrin pagë? Për këtë, Xhaferi me përgjigje:
“Po, merr rrogë se është i punësuar në Parlament. Nuk mund të ndërpritet marrëdhënia e punës, përpos Komisioni për emërime dhe zgjedhje i cili me vendim përkatës duhet të ndërpresë marrëdhënien e punës së deputetëve”, tha Talat Xhaferi, Kryeparlamentar.
Xhaferi disa herë tha se ka qëndruar në “heshtje politike, sepse nuk ka dashur të ndikohet politikisht.
“Unë nuk kam qenë i ndikuar prej subjekteve politike, dhe nuk kam lejuar që të jem i ndikuar as prej subjektit tim që i kam takuar”, deklaroi Talat Xhaferi, Kryeparlamentar.
