Xhaferi takon ambasadoren e Gjermanisë Holshtajn

TË FUNDIT

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me Ambasadoren e Republikës Federative të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anke Gizele Holshtajn.

Nga kabineti i krye parlamentarit informojnë se Xhaferi ka shprehur falënderime ndaj Gjermanisë dhe Ambasadës në Shkup për mbështetjen dhe ndihmën e institucioneve shëndetësore në Maqedoninë e Veriut për ballafaqim me pandeminë, ndërsa ka shfaqur shpresë se të dy vendet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, përfshirë edhe në nivel parlamentar.

“Në lidhje me integrimet euroatlantike, Kryetari Xhaferi theksoi se vendi si anëtar i NATO-s vazhdon së përmbushuri obligimet nga anëtarësimi dhe se fillimi i pritur i negociatave për anëtarësim deri në fund të këtij viti në kuadër të kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së, institucionet shtetërore dhe Kuvendi do të kenë rol kryesor në realizimin e të gjitha proceseve reformuese. Gjithashtu, kryesimi i përbashkët me Bullgarinë në kuadër të Procesit të Berlinit këtë vit hap mundësi për avancimin e bashkëpunimit dhe për mbështetjen e eurointegrimeve të vendeve të rajonit”, shkruhet në njoftimin e zyrës së kryetarit të Kuvendit.