Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është duke u zhvilluar dita e dytë e diskutimit për Qeverinë e re.
Për momentin deputetët janë në pauzë, në kuadër të së cilës kryeparlamentari Talat Xhaferi do të realizojë konsultim me koordinatorët e grupeve parlamentare për rrjedhën e vazhdimit të fundit të kësaj seance, e cila duhet të përfundojë me fjalët përfundimtare të mandatarit për formimin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, transmeton TV21.
“Shpall gjysmë ore pauzë dhe ftoj koordinatorët e grupeve parlamentare në konsultim për raundin e fundit prej katër folësve që do të jenë të fundit për të përmbyllur cikli i folësve dhe fjalët përfundimtare të mandatarit. Me këtë, pas pauzës të mbyllim diskutimin për çështjen në fjalë. Pauzë gjysmë orë”, tha Xhaferi.
Gjatë diskutimit paraprak, opozita ka kritikuar pushtetin se Qeveria e re është vazhdim i Qeverisë së Zoran Zaev dhe se mandatari Dimitar Kovaçevski është piun i Zaevit.
Deputetë e opozitës shqiptare kanë kritikuar kryeparlamentarin Talat Xhaferi pasi i njëjti nuk vazhdoi me listën e radhitjes së deputetëve për fjalë që kishte mbetur përgjysmë dje, me ndërprerjen e seancës, transmeton TV21
Xhaferi sqaroi se sot vazhdohet me listë të re. Seanca vijoi me përplasje mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partive pjesë të shumicës parlamentare.
Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, diskutimi për programin dhe përbërjen qeveritare zhvillohet dy ditë.
Seanca filloi dje, ndërkaq votimi i Qeverisë së re duhet të bëhet para mesnatës.
Në Qeverinë që pritet të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski, për ministra pritet të zgjedhen:

- Sllavjanka Petrovska – ministre e Mbrojtjes
- Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme
- Nikolla Tupançevski – ministër i Drejtësisë
- Artan Grubi – ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve – zëvendëskryeministër i parë
- Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme
- Fatmir Besimi – ministër i Financave
- Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë
- Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave
- Bekim Sali – ministër i Shëndetësisë
- Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit dhe Shkencës
- Jovana Trençevski – ministre e Punës dhe Politikës Sociale
- Goran Milevski – ministër i Vetëqeverisjes Lokale
- Bisera Kostadinova Stojçevska – ministre e Kulturës
- Admirim Aliti – ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë
- Bllagoj Boçvarski – ministër për Transport dhe Lidhje
- Naser Nuredini – ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor
- Bojan Mariçiq – ministër pa resor – zëvendëskryeministër për çështje evropiane
- Sllavica Grkovska – ministër pa resor – zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit
- Fatmir Bytyqi – ministër pa resor – zëvendëskryeministër për çështje ekonomike
- Xhemail Çupi – ministër pa resor./TV21
