Xhaferi në fund të korrikut ose fillim të gushtit do t’i shpallë zgjedhjet lokale

TË FUNDIT

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në fund të korrikut ose fillim të gushtit do t’i shpallë zgjedhjet lokale që do të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit, transmeton TV21.

Xhaferi në brifing me gazetarët, theksoi se nëse zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, atëherë fushata zgjedhore do të përkojë disa ditë edhe me regjistrimin e popullsisë që përfundon më 30 shtator të këtij viti.

“Kur të vijë koha, unë do t’i dërgoj një letër KSHZ-së lidhur me afatet dhe mandatet,” u shpreh kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Më 1 korrik fillon debati i Komisionit për rebalancin e Buxhetit. Në ato dhjetë ditë nuk do të ketë mbledhje plenare përveç nëse ka diçka urgjente, shtoi ai. Deri më 1 korrik do të duhej të mbahej mbledhje për një nga interpelancat e parashtruara nga opozita.

Kryetari i Kuvendit theksoi se në shtëpinë ligjvënëse nuk kanë ardhur propozimet për taksën ekologjike të karburanteve dhe për uljen e TVSH-së te rryma dhe se nuk e di se kur do të viheshin në rend dite të mbledhjes.

Xhaferi më 28 dhe 29 do të jetë në Bruksel me ftesë të kryetarit të PE-së Sasolli. Më 28 në Bruksel do të mbahet konferencë e kryetarëve të Parlamenteve në të cilën do të marrin pjesë të gjithë kryetarët e kuvendeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Prej atje, Xhaferi tha se do t’i dërgohen porosi BE-së pas vendimit të fundit për mosmarrjen e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Xhaferi e ndan mendimin se problem është në BE dhe në parimin njëzëri. Që nga vitet e pesëdhjeta, kur është formuar Unioni, rrethanat kanë ndryshuar dhe dukshëm është se ai parim i njëzëshëm është problematik. Po, ne nuk duhet të heqim dorë nga vlerat evropiane, tha kryetari i Kuvendit.

Sa i përket bisedimeve me Bullgarinë dhe nëse Parlamenti në Shkup do të përfshihet në ndonjë mënyrë në këtë proces, Xhaferi tha se Kuvendi ynë e ka ratifikuar Marrëveshjen me Bullgarinë dhe se qeveritë janë ato të cilat bisedojnë për këtë çështje. fc/