Xhaferi: Kam të drejtë ta ndërpres seancën! VMRO-DPMNE kërkon që të vazhdohet seanca e ndryshimeve kushtetuese

TË FUNDIT

Kam të drejtë të plotë dhe jam udhëhequr nga vlerësimi im politik për vendimin për ta ndërprerë seancën pasi që plotësisht u shter debati dhe duhej që të votohen ndryshimet kushtetuese. Këtë e theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi pasi që të premten ndërpreu seancën dhe vijuan reagime të shumta nga opozitarja DPMNE. Unë edhe paraprakisht në koordinim i kam njoftuar deputetët dhe ata e dinin epilogun e kësaj seance.

Ky reagim i Xhaferit vjen pasi më herët opozitarja VMRO-DPMNE-ja pati reagime të shumta, ndërsa sot deputeti i kësaj partie Mile Lefkov e akuzoi për shkelje të Rregullores  me ndërprerjen e votimit. Ai po ashtu kërkoi nga Xhaferi që t’i vendosë në votim ndryshimet kushtetuese.

“Talat Xhaferi, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e ka shtyrë pikën për votimin e nevojës për hapjen e Kushtetutës. Sipas Rregullores, votimi duhej të bëhej ditën e premte kur përfundoi  debati dhe u sigurua kuorumi për votim. Talat Xhaferi me vetëdije e shkeli Rregulloren e Kuvendit për t’i lejuar BDI-së dhe LSDM-së të qëndrojnë edhe një ditë shtesë në pushtet. I bëjmë thirrje Talat Xhaferit që të mbushet me mend dhe t’i vendosë në votim ndryshimet kushtetuese”, tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Seanca u mbajt të premten, por për faktin se nuk kishte shumicë për votimin e ndryshimeve kushtetuese, Xhaferi e ndërpreu seancën dhe për momentin nuk ka njoftim se kur mund të vazhdojë.