Për deklaratat që Veseli e Thaçi kanë dhënë në seancën gjyqësore në rastin “Syri i Popullit”
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca kanë dorëzuar sot kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore, ndaj kreut të shtetit, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, për deklaratat që ata i kanë dhënë në seancën gjyqësore në rastin “Syri i Popullit”.
Para dorëzimit të padisë, Kurti ka thënë se ato janë deklarata të rrejshme nën betim.
“Këtë kallëzim penal po e bëjmë sot, duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta dy i kanë bërë më 28 dhjetor të vitit të kaluar kundër të ashtuquajturit organizatë “Syri i Popullit, me rastin e sulmit që këta dy kanë bërë ndaj meje, Glaukut dhe Sadri Ramabajës”, ka deklaruar Kurti dhe ka thënë se republika është e rrezikuar nga këta dy persona që shpifin nën betim, shkruan rtv21.tv
I pari i partisë ka thënë se këta dy njerëz që ndodhen në postet më të larta institucionale, kanë rënë në postet më të ulëta njerëzore.
Ndërsa, Glauk Konjufca ka deklaruar se kjo ka ka të bëjë me një tendencë politike të qartë, që përmes kontrollimit të drejtësisë të eliminohet VV-ja.
Sipas tij, kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejt në sistemin e drejtësisë, që të kontrollohen kundërshtarët.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në këtë seancë gjyqësore ku ishte i ftuar si dëshmitar, kishte deklaruar se prapa kësaj organizate kriminale, qëndron Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca.
“Më herët kam pasur indikacione prej autoriteteve që prej nxitësve të miqve të Kosovës që kanë ardhur prej Serbisë ka pasur kanosje. Kanosje e vërtetë ka qenë prej organizatës “Syri i popullit”. Jam informuar prej autoriteteve shtetërore, prej mekanizmave, ditë më parë para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi. E kemi përjetu rëndë unë edhe familja ime. Po unë e njoh Sadri Ramabajën. Nuk e njoh Murat Jasharin, por kam dëgju për të. Mbrapa tij kësaj organizate qëndrojnë Sadria, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti. Për mua nuk ka qenë shqetësuese vlerësimi por kërcënimi dhe paralajmërimi për vrasje. Janë fjalë që i kam dëgjuar me veshët e mi, nga Glauk Konjufca në një seancë në kuvend, që këta njerëz duhet me i vra, dhe pastaj ka ndodhur rasti”, kishte deklaruar Thaçi./21Media
