Presidenti i Srebisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për letrën që e ka pranuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në të cilën pos që e ka uruar për ditën e shtetësisë së Serbisë, Bideni, ka kërkuar edhe arritje të një marrëveshje me Kosovën, të përqendruar në njohje reciproke.
“Kam marrë urimet nga presidenti Biden, faleminderit për urimet. Sa i përket njohjes reciproke nuk thuhet në asnjë akt të organizatave ndërkombëtare. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar si zgjidhje përfundimtare dhe unë i kam thënë në fytyrë se çka mendoj për njohje reciproke”, ka thënë Vuçiq, raporton Tanjug.
Ai ka shtuar se Serbia po e ruan paqen.
“Po reagojmë ndryshe nga që është pritur”, ka deklaruar Vuçiq.
Presidenti serb ka shtuar se nuk mendon që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, po gënjen kur flet për bashkimin me Shqipërinë.
“Tash është plotësisht e qartë se që nga fillimi ishte ide amerikane. Është e qartë se ata duan poshtërimin e plotë të Serbisë. E tëra çfarë dua të them u kam thënë në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë”, ka shtuar Vuçiq.
Ai thotë se është një rregull që për herë të dytë Haradinaj po e kërcënon se do ta rrëzojë.
“Gjithmonë është e mundur, por nëse do të ndodh – do ta shohim. Është fjalë për një njeri të rrezikshëm. Unë jam aq i madh sa të mos marrë pjesë në poshtërimin dhe shkatërrimin e vendit tim”, ka shtuar Vuçiq.
