Ministrat Toshkovski e Klekovski në Gostivar! Nisin masat për rikthimin e ujit

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, vizituan Gostivarin për të ndjekur nga afër situatën e krijuar pas ndotjes së ujit të pijshëm. Ekspertë nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” i Shkupit kanë nisur analizat e rrjetit të ujësjellësit dhe të cilësisë së ujit, ndërsa pritet të fillojë hiperklorinimi i sistemit për rikthimin fillimisht të ujit për përdorim teknik e më pas edhe për pije. Autoritetet njoftuan se numri i rasteve të reja me probleme gastrointestinale është përgjysmuar, duke rënë në 293 pacientë, çka sipas ministrit Klekovski tregon se masat e ndërmarra po japin rezultatet e para. Mostrat e reja të ujit janë marrë në disa pika të qytetit dhe rezultatet paraprake pritet të publikohen nesër, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të vazhdojnë të mos e përdorin ujin nga rrjeti derisa institucionet ta shpallin atë të sigurt. Ministri i Shëndetësisë konfirmoi gjithashtu se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast me hepatit.