Vuçiq nuk do të shkojë në Tiranë, e ofendon Kurtin duke e quajtur “fundërrinë terroriste”

TË FUNDIT

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka kritikuar vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të emëruar Nenad Rashiqin si ministër të Kosovës. Vuçiq gjithashtu ka kritikuar edhe Rada Trajkoviqin, e cila është emëruar si këshilltare e Rashiqit, transmeton TV21. Duke ofenduar, tha se Rashiq dhe Trajkoviq janë “fundërrina”. Ai bëri të ditur se askush nga autoritetet serbe nuk do të shkojë në mbledhjen në kudër të Procesit të Berlinit në Tiranë, që pritet të mbahet me 6 dhjetor, ndërsa tha se do t’i drejtohet popullit brenda 48 orëve.

“Zgjedhja e Rashiqit, njeriu që fitoi më pak se një për qind, si dhe Rada Trajkoviqi që ishte në listën e tij, tregon se ata duan persekutime, dëbim dhe zhdukje të serbëve në Kosovë. Dhe tani kam disa gjëra për të thënë, para adresimit  zyrtare dhe takimit me Varhejin (takim për nesër), nëse kjo ndodh”, tha Vuçiq.

Vuçiq kritikoi edhe BE-në për çështjen në fjalë, ndërsa kryeministrin e Kosovës Albin Kurti e ofendoi, duke e quajtur “fundërrinë terroriste”.

“Kam heshtur për muaj e vite, kam duruar marrëzi nga të gjithë në rajon dhe në botë. Ai llumi terrorist duhet të kishte marrë dënimin e merituar të Bashkimit Evropian. Sigurisht që nuk mori. Ai mori diçka që ndoshta askush nuk mund ta kuptojë. Dhe kështu sillen gjatë gjithë kohës, jo vetëm se kanë shkelur normat e Marrëveshjes së Brukselit, të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha normat demokratike. Dhe t’i dërgojë porosi llumit terrorist  – kini kujdes që të mos lëndoni asnjë serb, bashkë me këta kuislingë që keni zgjedhur. Se serbët do të dinë t’ju përgjigjen. Dhe ju nga Evropa, turp të keni, ndërsa kjo është një gjë e vogël në krahasim me atë çfarë dua t’ju them”, tha mes tjerash Vuçiq.

Pas kësaj, Vuçiq ka postuar në Instagram pjesë nga deklarata.