Një video e publikuar nga mediat në Rusi se vullnetarë serbë stërviten për të luftuar përkrah trupave ruse në Ukrainë, ka nxitur zemërim në Serbi. Grupi mercenar i Rusisë, Wagner, realizoi videot në gjuhën serbe për të inkurajuar rekrutimin për luftë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiq i cili u shpreh se kjo është kundër rregulloreve të vendit të tij.
“Pse ju, nga Wagner, telefononi dikë nga Serbia kur e dini se kjo është kundër rregulloreve tona?”, tha ai.
Kritikët shpesh e akuzojnë Serbinë se i jep përparësi miqësisë së saj të gjatë me Rusinë mbi ambicien e saj për t’u bashkuar me BE. Por ajo që ka dalë ditët e fundit në Beograd, tregon se fotografia nuk është edhe aq bardh e zi.
Duke lënë të kuptohet për marrëdhëniet më pak se rozë me Moskën, presidenti Vuçiq tha se Serbia jo vetëm që ishte “neutrale” në lidhje me luftën në Ukrainë, por se ai nuk kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin për shumë muaj.
Në Beograd, ku muralet provokuese janë jashtëzakonisht të zakonshme, emblema e kokës së vdekjes së Wagnerit u shfaq në një mur në qendër të qytetit javën e kaluar. Ai u nënshkrua nga Patrullat Popullore, një organizatë e krahut të djathtë ekstrem, e cila më parë ka organizuar mitingje pro-ruse me pjesëmarrje të rrallë.
