Vriten qentë endacakë në Strugë/ Alarmon “Anima Mundi”: Shtet pa ligj me një shoqëri primitive

TË FUNDIT

Qen të vrarë dhe të ngordhur, gjak gjithandej!
Me këtë pamje janë zgjuar sot banorët e Strugës. Në shtatë lokacione të ndryshme janë gjetur qen endacak të vrarë.

Kjo video e publikuar nga organizata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” tregon se si u mblodhën qentë e vrarë. Organizata kërkon nga organet kompetente të marrin masa.

“Një shtet pa ligj, një shoqëri primitive e qeverisur nga sherifët vendas, rezultati është ky brutalitet i dëshmuar sot nga banorët e qytetit të Strugës. Një maniak, një person që nuk mund të quhet njeri, i inkurajuar nga institucionet jofunksionale dhe prishja e sistemit në këtë vend, ka vendosur mëngjesin e sotëm t’u marrë jetën me pushkë dhjetëra kafshëve shtëpiake të lagjes dhe shtëpiake. Ai gjakftohtësish derdhi gjakun e tyre të pafajshëm nëpër rrugët e Strugës”- thonë nga “Anima Mundi”.

Rasti është paraqitur edhe në polici, ndërsa nga Sektori për punë të brendshme thonë se ekipet janë në terren dhe po merren masa.

Struga ashtu si shumë komuna tjera përballet me qentë endacak nëpër rrugë të cilët përbëjnë rrezik për qytetarët. Kryetari i Strugës, Ramiz Merko, thotë se është vështirë të gjendjet zgjidhje për problemin.

“Qentë endacak janë një problem shtesë me të cilin duhet të ballafaqohemi, ne po punojmë në zgjidhjen e problemit me çka ne si udhëheqësi lokale nuk mund të ballafaqohemi me qentë endacak sepse edhe po të bënim qendër për përkujdesje e qenve endacak kush do ta mirëmbante atë dhe sa të dëgjojnë të gjithë do t’i sjellin në Strugë”- deklaroi Ramiz Merko, Kryetar i Komunës së Strugës.

Merko kërkon nga instancat qendrore të gjejnë zgjidhje për këtë problem, duke rikujtuar se harxhojnë shuma të mëdha parash për dëmshpërblim të njerëzve që kafshohen nga qentë endacak në Strugë.